Evakuohet Aleksandër Vuçiç dhe familja e tij, në rrezik për jetën

Lajme

Evakuohet Aleksandër Vuçiç dhe familja e tij, në rrezik për jetën

Më: 30 tetor 2016 Në ora: 20:48
Aleksandër Vuçiç

Në Serbi, policia tha se e ka evakuuar të shtunën kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç dhe familjen e tij në një “vend të sigurt”, pasi që gjeti një sasi armësh, përfshirë edhe një raketahedhës afër shtëpisë së prindërve të tij, që ai e vizitonte shpesh.

“Armët, ku kishte edhe granata dore dhe municione, janë gjetur në gëmusha në afërsi të Jajincit, afër një udhëkryqi ku autokolona e kryeministrit Vuçiç ngadalësonte shpejtësinë, ndërsa ai shkonte tek prindërit e tij”, deklaroi ministri i brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç.

Prindërit e tij, Angelina dhe Angjelko, jetojnë në Jajinci. Vuçiç dhe familja e tij e ngushtë jetojnë në Beograd, ndërsa Stefanoviç tha se ai është dërguar diku tjetër pas zbulimit të armëve.

Zbulimi që pasoi një paralajmërim, përkeqëson atmosferën edhe ashtu të tensionuar në rajonin që po përballet me barrën e krizës së emigrantëve në Evropë dhe ku vendet e Ballkanit vazhdimisht shkëmbejnë akuza për ndërhyrje në punët e brendshme të njëri tjetrit.

“Kryeministri është i sigurt sikurse edhe familja e tij … Është shqetësuese që armët ishin vendosur në vendin ku autokolona e tij ngadalësonte shpejtësinë deri në 10 kilometra në orë“, tha ministri Stefanoviç.

Agjencia ushtarake serbe e zbulimit është përgjegjëse për sigurinë e kryeministrit, ndërsa pjesëtarët e Kobra-s, një njësi elite e armatës, shërben si truprojë e tij personale.
Siguria e kryeministrit serb dhe zyrtarëve të lartë të Serbisë, është shtuar pas atentatit të vitit 2003 mbi kryeministrin Zoran Gjingjiç, shefi i parë i qeverisë serbe pas rrëzimit të ish presidentit serb Slobodan Milosheviç, në vitin 2000.

Në një deklaratë, ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç, tha se shumë njerëz i kundërvihen kryeministrit Vuçiç dhe politikës së tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat