Tri OJQ “bojkotuan” takimin e Këshillit Kombëtar për Integrim Europian

Lajme

Tri OJQ “bojkotuan” takimin e Këshillit Kombëtar për Integrim Europian

Më: 28 tetor 2016 Në ora: 12:38
Ilustrim

Përfaqësues të tri OJQ -ve, përmes një deklarate kanë treguar arsyet pse nuk po marrin pjesë në takimin radhës të Këshillit Kombëtar për Integrim Europian.

Në këtë deklaratë, ata kanë thënë: Sot, më 28 tetor 2016, po mbahet takimi i radhës i Këshillit Kombëtar për Integrim Europian, i pari i thirrur nga presidenti i ri i Kosovës, Hashim Thaçi. Ky Këshill është formuar nga Zyra e Presidentit të Kosovës më 2012, me synim primar që ai të jetë një forum i diskutimit gjithëpërfshirës dhe konsensusit nacional për çështjet më të rëndësishme në agjendën europiane të Kosovës.

Megjithatë, ftesat për takimin janë dërguar vetëm 2 ditë para takimit, ndërsa agjenda e takimit nuk është shoqëruar me asnjë material përcjellës. Për më tepër, nga 5 anëtarët e shoqërisë civile në Këshill, vetëm 3 prej tyre kanë marrë ftesë. Injorimi i dy të tjerëve është bërë pa asnjë arsyetim, përkundër faktit që vazhdojnë ta kenë statusin e anëtarit të barabartë të Këshillit, sikurse të gjithë anëtarët tjerë institucionalë, politikë dhe nga shoqëria civile.

Duke marrë parasysh arsyet e cekura më lartë, ne si anëtar të shoqërisë civile në Këshillin Kombëtar për Integrim Europian nuk e shohim të arsyeshme pjesëmarrjen në takim në këtë formë. Megjithatë, për takimet e radhës nëse ato përgatiten si duhet dhe marrin parasysh shqetësimet tona jemi të gatshëm të marrim pjesë dhe kontribuojmë në këtë agjendë të rëndësishme për vendin.

Anëtarët e Këshillit Kombëtar për Integrim Europian nga shoqëria civile:

Valdete Idrizi – Platforma CiviKos

Fatmir Curri – Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)

Betim Musliu – Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat