Shqiptarja rrëfen tmerrin e tërmeteve në Itali: Mendova se do të vdisnim

Lajme

Shqiptarja rrëfen tmerrin e tërmeteve në Itali: Mendova se do të vdisnim

Më: 28 tetor 2016 Në ora: 08:10
Tërmeti në Itali

Irma është një shqiptare që jeton prej vitesh në Itali bashkë me burrin dhe 3 djemtë, 18, 13 dhe 5 vjeç.

Tërmetet që shkundën dje sërish Italinë dhe sollën terror e frikë për banorët, tronditën jo pak edhe familjen e saj që jeton 50-60 km larg epiqendrës. Në një rrëfim për mediat shqiptare, Irma tregon minutat e para të tmerrit, kur fëmijët e saj vrapuan këmbëzbathur me gjithë shiun rrebesh dhe dolën jashtë shtëpisë, ndërsa ajo vetë u bllokua brenda.

“Ishin 2 minutat më të gjata të jetës sime, mendova se do vdisnim”, thotë ajo. Bashkëshorti i saj prej mbrëmjes së djeshme ndihmon në qendrat e pritjes që janë ngritur nga Mbrojtja civile.

– Irma kur ndodhi tërmeti i parë dje ku ishit dhe çfarë bëtë?

Tërmeti i parë ndodhi në orën 19:11, kohë darke dhe shumica e njerëzve ndodheshin në shtëpi. Unë isha në dhomën time dhe po përgatitja çantën për të ikur në punë dhe 2 fëmijët e vegjël ishin në sallon por me derën e jashtme hapur se po flisnin me shokun e tyre.

Gjëmonte e binte shi. Po prisnim që të vinte burri me djalin e madh të hanim darkë dhe ndërkohë po përgatisja çantën në dhomë.

Dëgjova një zhurmë sikur kalon treni kur e ke afër dhe bërtita sa kisha fuqi “jashtë­ jashtë “dhe mu mbyll dera e dhomës e mundohesha ta hapja. I ulërija djalit që është 13 vjeç dhe të voglit, Gabri, Romeo e qaja duke bërtitur. Ishin 2 minutat më të gjata të jetës sime dhe për një moment mendova se e shëmbi e do vdisnim.

Kur mbaroj dridhja mu hap dera dhe vrapova drejt sallonit te fëmijët po ata falë Zotit kishin dalë dhe më thërrisnin nga jashtë të traumatizuar, zbathur, në shiun që binte me kova jo me pika. Pastaj erdhi burri me vrap, ndërsa djali ishte në qendër.

U bllokuan linjat e telefonit dhe nuk komunikoje dot me asnjëri, falë Facebook­ut lidhëm e bëmë grup në mesanger. Dolëm të gjithë përjashta. Paniku në maksimum, alarmet e makinës u aktivizuan dhe të bankave. Pastaj lexuam që kishte qenë tërmet 5.6 ballë i shkallës rihter.

A patët ndonjë njoftim nga autoritetet?

“Protezione civile” u aktivizua e para, direkt në shërbim për t’u përgatitur për më keq. Kryetari i Bashkisë mbrëmjen e djeshme njoftoi të gjithë ata që kishin nevojë të strehoheshin pasi lëkundjet ishin tepër të forta, prej 5.6 ballë dhe 6.2 dhe gjithë vendi ishte jashtë shtëpive ose në sheshe. Kishte shumë panik dhe kanë hapur pallatin e sportit. Autoritet e vendit, si Bashkia, zjarrfikësit, karabinierët u vunë në lëvizje.

– A fjetët në shtëpi apo dolët jashtë?

Pastaj u kthyem brenda për të parë nëse kishim dëme dhe dëgjuam lajmet që thoshin se epiqendra ishte Umbria dhe zonat afër nesh si Camerino Macerata. Burri mori fëmijët e vajti në qendrën e Mbrojtjes Civile, unë shkova në punë, ku i bëj asistencë një të moshuari 92­vjeçar.

– Sa larg epiqendrës së tërmetit jeni?

Ne jemi rreth 60 km larg ose 30­40 minuta nga epiqendra. Jemi në Nocera Umbra, provincë e Perugias.

Aktualisht a qëndroni në shtëpi apo në qendrat e pritjes?

Gjatë ditës rrimë në shtëpi me dyert hapur . Nuk e di sot si do t’ia bëjmë në ditët e ardhshme, sonte do rri në qendrën e protezione civile me gjithë fëmijët se bashkëshorti im është në gatishmëri, pasi na kanë thënë se do ketë plot tërmete të tjerë.

– Po qytetarët e tjerë a janë kthyer në shtëpi?

Të gjithë rrinë nëpër makina se nuk duan të braktisin shtëpitë, shumica janë kthyer, po të tjerët shpresojnë mos të ketë më tërmete të forta se me lëkundje të lehta janë mësuar pasi është zonë tërmetesh. Po të gjithë janë shumë të frikësuar, u ka hyrë frika në palcë, por nga ana tjetër kanë frikë të lënë shtëpitë se mos i vjedhin. Si zonë ka rreth 6 mijë banorë dhe rreth 200 janë shqiptarë, kryesisht nga Vlora, Fieri e Rrogozhina.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat