Deputeti kroat çudit të gjithë me fjalimin e tij

Lajme

Deputeti kroat çudit të gjithë me fjalimin e tij

Më: 27 tetor 2016 Në ora: 18:53
Ivan Pernar

Aleanca atlantiko-veriore ka shkelur lirinë, sovranitetin dhe demokracinë kombëtare, në vend që të promovojë paqe dhe stabilitet. Kjo është deklarata e shumëdebatueshme e politikanit kroat, Ivan Pernar, nga koalicioni “Zivi Zid”, i cili ka shkuar edhe më tej, duke e krahasuar bllokun ushtarak me Gjermaninë naziste.

“Brukseli do të mbetet nervoz për sa kohë që ekzistojnë njerëz, që vënë në diskutim ‘përrallat’ e burokratëve europianë në lidhje me një jetë më të mirë në Bashkimin Europian, sikurse edhe për të ashtuquajturën paqe e stabilitet të siguruara prej NATO-s. Në fakt, NATO ka siguruar të kundërtën. Aleanca ka shkelur dhe ka marrë nëpër këmbë lirinë dhe sovranitetin kombëtar, në vend që t’i mbrojë ato. NATO mbështet rrëzimin e qeverive legjitime përmes bombardimeve, në vend që të bëjë avokatinë e demokracisë”, tha Pernar, transmeton top-channel.

Politikani kroat ka këmbëngulur se NATO “përbën një rrezik” për të gjithë botën, po aq sa “Gjermania e drejtuar nga Hitleri”. Ai ka mbështetur dhe lavdëruar Moskën për qëndrimin e pavarur që mban në arenën ndërkombëtare.

“Nëse nuk do të ishte Rusia, askush nuk do të mund t’i bënte ballë situatës së sotme. Shtetet e Bashkuara do të mund të bombardonin dhe shkatërronin çdo lloj vendi, që nuk do të dëshironte t’u shërbente interesave të Uashingtonit”, ka thënë më tej ai.

Pernar është shfaqur i bindur gjithashtu, se kroatët e kanë kuptuar që NATO sjell vetëm “dëme”, duke theksuar në këtë mes fluksin e refugjatëve, për përballimin e të cilit Bashkimi Europian po has shumë probleme.

“Vala e refugjatëve, për të cilët ne duhet të kujdesemi, është një pasojë e drejtpërdrejtë e aktiviteteve të Uashingtonit anembanë botës. SHBA-të po luajnë një lojë të ndyrë: fillimisht ata shkaktojnë kaos dhe më pas thonë se mund ta zgjidhin situatën edhe të vetëm. Është e pamundur të imagjinosh Rusinë të bëjë diçka të tillë”, ka thënë Pernar, duke sjellë si shembull angazhimin “e kufizuar” ushtarak të Moskës në Siri.

“Operacioni i Rusisë në Siri është bazuar mbi ligjin ndërkombëtar. Moska është ftuar nga qeveria legjitime siriane. Në të njëjtën kohë, ndërhyrja e Uashingtonit, sikurse shumë operacione, nuk ka baza ligjore. Kjo është arsyeja, pse SHBA-të e kanë kundërshtuar Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) në Hagë. Askush nuk mund t’i nxjerrë para drejtësisë presidentët apo gjeneralët amerikanë. Ata nuk mund t’i ndëshkojë as vet Amerika, e jo më ndonjë tjetër”, përfundoi deklaratat kontroverse politikani kroat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat