Zyra për Bashkëpunimin Rinor, inkurajim integrimit në rajon

Lajme

Zyra për Bashkëpunimin Rinor, inkurajim integrimit në rajon

Më: 24 tetor 2016 Në ora: 12:53
Foto

Ngritja e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (ZRBR) në Tiranë pritet të konkretizohet së shpejti, me ratifikimin në parlament të marrëveshjes përkatëse. E nënshkruar në Paris më 4 korrik 2016 nga kryeministrat e Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, marrëveshja parashikon krijimin e ZRBR-së.

Misioni i kësaj strukture është të mbështesë shkëmbimet rajonale të të rinjve, ndarjen mes tyre të ideve, bazuar në vlerat e tolerancës dhe respektit për të drejtat e njeriut, si dhe angazhimin për gjithëpërfshirje dhe sigurinë.

Ngritja e kësaj strukture, si pjesë e “Procesit të Berlinit”, synon të mbështesë aktivitetet që inkurajojnë pajtimin, diversitetin dhe vlerat demokratike, duke pasur parasysh shpirtin e procesit të integrimit në rajon.

Vizioni për ZRBR-së është që të mbështesë një rajon me diversitet, ku të rinjtë janë të ndërgjegjshëm për të kaluarën dhe luajnë një rol aktiv në ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë për shoqëritë e tyre.

ZRBR do të jetë një mekanizëm institucional me funksionim të pavarur për bashkëpunimin rinor ndërmjet pjesëmarrësve të Ballkanit Perëndimor. Struktura ligjore e ZRBR-së do të vendoset në Tiranë, në përputhje me legjislacionin shqiptar.

Buxheti total vjetor i ZRBR-së, për periudhën e parë buxhetore 3-vjeçare, do të jetë 2 milionë euro në vit. Gjysma e kësaj shume do të financohet nga pesë vendet dhe gjysma nga donacionet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat