Efektet e para pozitive të vizitës së Ramës në Serbi

Lajme

Efektet e para pozitive të vizitës së Ramës në Serbi

Nga: Sevdail Hyseni Më: 24 tetor 2016 Në ora: 09:25
Foto ilustrim

Derisa në skenën politike të Shqipërisë dhe Kosovës, çohet pluhur “për” dhe “kundër” vizitës së kryeministrit Rama në Serbi, shqiptarët e Luginës së Preshevës, vetëm se kanë filluar t’i prekin efektet e para të Forumit të biznesit serbo –  shqiptar të Nishit.

Akoma pa u mbushur, një javë, nga përmbyllja e punimeve të Forumit të biznesit serbo –  shqiptar të Nishit, në Serbi, në të cilin merrnin pjesë kryeministrat: Rama  – Vuçiq, kabinetet e tyre ministrore dhe qindra kompani biznesi, jeta politike dhe ekonomike, në Luginë të Preshevës, ka filluar të frymoj më lirshëm.

Vizita e disa ministrave, të ministrive përkatëse të Qeverisë së Serbisë, në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, solli edhe të mirat e para në planin e mbështetjeve të projekteve në fushën e zhvillimit të bizneseve të vogla dhe infrastrukturës.

Para dy ditëve, më 22 tetor, të këtij viti, përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë të Serbisë të shoqëruar, nga përfaqësuesit e Ambasadës norvegjeze, të akredituar në Beograd, vizituan Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë. Me të dëgjuar për problemet me të cilat po përballet ky institucion shëndetësor nga drejtori i saj dr. Reshat Ymeri, ata, premtuan se në një afat shumë të shkurt, do të sigurojnë 100 mijë euro donacion, për pajisje me Rentgen dhe Mamografi.

Siç bëjnë të ditur kryetarët e komunave: Bujanoc dhe Preshevë, Shaip Kamberi dhe Shqiprim Arifi, nga Buxheti i Trupit Koordinues, një miniqeveri për jug të Serbisë, janë ndarë rreth 400 mijë euro në shenjë subvencioni për bizneset private. Këto mjete pa kthim, të cilat janë ndarë edhe viteve të mëhershme, pritet të shtohen, në mënyrë që bizneset, të zgjerojnë veprimtarinë e tyre, duke shtuar prodhimin dhe zvogëluar papunësinë në këtë rajon. 

Kryeministri Aleksandër Vuçiq, gjatë vizitës në fabrikën tullave dhe të tjegullave "Mladost" në Leskoc, ka ofruar përkrahjen financiare të qeverisë së tij, që të shtohet prodhimi për eksportin në Kosovë dhe Shqipëri.

Në këtë drejtim, nuk mbete pa jehonë edhe hapja e pikës kufitare në mes Kamenicës dhe Medvegjës, në Kapit, zona kufitare Serbi Kosovë.

Brenda 25 ditësh, në këtë pikë kufitare do të ngrihet një objekt nga Kompania “Fer Petrol”, i cili do të kushtoj 75 mijë euro.

Pika kufitare e “Kapitit” e cila në të kaluar ka qenë sinonim i pengimit të qarkullit të lirë të njerëzve dhe mallrave, arrestimeve dhe keqtrajtimeve nga autoritet kufitare serbe, tani e tutje do të shërbej si model për menaxhim të integruar të kufirit, i cili përveç të mirave ekonomie sjell edhe relaksim të lëvizjes së veturave brenda dhe jashtë kufirit mes këtyre dy komunave.

Për fund vlen të theksohet edhe kjo, për derisa në skenën politike të Shqipërisë dhe Kosovës, çohet pluhur “për” dhe “kundër” vizitës së kryeministrit Rama në Serbi, shqiptarët e Luginës së Preshevës, vetëm se kanë filluar t’i prekin efektet e para pozitive të Forumit të biznesit serbo –  shqiptar të Nishit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat