Rrëfimi i tmerrshëm: I ‘vdekur’ për së gjalli nën dheun zi !

Lajme

Rrëfimi i tmerrshëm: I ‘vdekur’ për së gjalli nën dheun zi !

Nga: Diana Bunjaku Më: 20 tetor 2016 Në ora: 20:29
Ilustrim

Disa çaste nën dheun e zi e të shembur në gropën 5 metra thellë, kanë qenë sa 10 shekuj për 27 vjeçarin nga rrethi i Prishtinës Gëzim Ajeti, i cili kishte rënë pre e këtij epilogu tragjik.

Ai ka rrëfyer për “ Bota Sot”  se si i kishte përjetuar çastet më të vështira të jetës së tij, atë pasdite tetori, nën zhavorrin e zi, duke e quajtur veten të ‘vdekur’ për së gjalli.

“ Gjithçka kishte filluar derisa po lidhja gypat e një kanalizimi, në një shtëpi në afërsi të lagjes “ Matiqan” në Prishtinë. Për 7 vite me radhë unë punoj si punëtor krahu, dhe t’ju them të drejtën këtë punë,  jo që e bëj me dëshirë , por e bëj që ta  mbaj familjen time 8 anëtarësh që  të paktën të mbijetojmë disi” thotë 27 vjeçari derisa shpalos momentet e hidhura të asaj ditë të ngrysur.

“Askush nuk e kishte menduar se unë do isha ai që do ta paguaja me jetë  këtë punë. Madje askush nga miqtë e mi, që punon njëjtë si unë , nuk e kishin paramenduar se unë do isha ai që do varrosesha për së gjalli  në atë gropë të thellë dhe të lagur. Si për dreq atë ditë kishte rënë edhe shi, dhe kjo gropë e mallkuar i ngjante një moçali të trisht. Së bashku me 8 kolegët e mi punëtor ishim në përfundim të kryerjes së punës, dhe na kishin mbetur vetëm edhe pak kohë, për ta përfunduar punën në tërësi. Dikush nga ata, tha se kishim harruar t’i lidhnin edhe dy gypa tjerë, pa të cilët puna do të ishte e papërfunduar.

Tashmë të gjithë kishim dal nga gropa dhe i kishim zhveshur rrobat e punës. Por dikush duhej patjetër që të hynte aty dhe isha unë ai që pranova vullnetarisht ti lidhja gypat. Pasi u futa brenda me ndihmën e shokëve të mi, në gropën 5 metra thellë, papritmas dëgjova zërat e tyre : “ O ikni o burra,  ikni se na u shemb dheu. Unë isha i kërrusur dhe  në atë pozitë edhe më zuri dheu. Më kujtohet vetëm momenti kur desha ta kthej kokën  që të shoh se çfarë po ndodh atje lart, por dheu ishte më i shpejtë se unë duke ma mbuluar furishëm  trupin. Mu kujtuan të gjithë ata njerëz, tashmë të fjetur, që dikur kishin qenë të zgjuar, dhe  të gjallë nën tokë padrejtësisht kishin humbur  jetën  nga dheu i zi dhe ndjeva një dhembje në shpirt.

“ Krejt çka doja në atë momente ishte që të mbaja frymën dhe të dilja i gjallë nga aty. Isha i paluar për tokë dhe nuk mundja as të lëvizja. I kam dëgjuar punëtorë të cilët ishin afër gropës kur thanë “ O mulne, se vdiq i biri i Alisë”. Më besoni dhe tani kur i kujtojë ata zëra të çirrur rrëqethem i tëri. Aty ishte edhe mixha im Abazi, pasi edhe ai punonte me mua si punëtor krahu. Ishte ideja e tij që dikush ta ndizte sërish ekskavatorin që me lugë të më nxirrnin mua. “Ishte hera e parë që dëgjoja mixhën duke dënesur e qarë. Ah  na shkoi djali, na vdiq Gëzimi jonë, thoshte pa ndërpre baci dhe derisa ai bërtiste e qante, mua tashmë veç mu kishin terruar sytë.

Dheu kishte kapluar gjithkah në mua, në sy, në gojë, në trup, në shpinë , sa e tmerrshme dhe e dhimbshme ishte kjo skenë. Pas pak dëgjova zhurmën e ekskavatorit dhe në atë moment lutesha vetëm që së paku dikush prej tyre të ishte i mbrehtë në mendje dhe të mos e fusnin të gjithë lugën e ekskavatorit në dheun e shembur, për të më shpëtuar mua pa kokë. Kisha frikë se luga e ekskavatorit do të ma këpuste kokën, andaj dhe fillova të lutesha që të mbetesha gjallë.

Por dikush nga ta bërtiti me zë të lartë, duke thënë “ kini kujdes se mund ta lëndoni të gjallë, mund t’ia këpusni kokën, dhe këto fjalë më tmerruan. Pastaj dëgjova zhurmat e disa lopatave që po futeshin nën dheun e zi, që më ngjanin në luftërat me shpata. Kam dëgjuar se çdo njeri që ka pasur fatkeqësi në jetë dhe që ka mbijetuar i gjallë,  pak çaste para se ta shoh vdekjen me sy, për një moment i janë shfaqur njerëzit më të  dashur, si nëna , babai, motra ,vëllai, gruaja, fëmijë të gjithë të miqtë, por tek unë nuk ndodhi kjo mrekulli. Por te unë ndodhi e kundërta.

Në ato momente të vogla amshimi unë mendoja vetëm se si të dilja nga aty për së  gjallë dhe jo pa kokë. Përveç eksvatorit i cili tashmë më dukej sikur kishte zbritur i tëri me rrota në trupin tim, dëgjoja edhe jehonën e zhurmave të lopatave që më ngjanin në luftërat me shpata që së fëmijë i adhuroja dikur. Të gjithë miqtë e mi punëtorë kishin filluar të jepnin diçka nga vetja duke gërryer dheun e zi me lopatat e mprehta deri sa panë kokën time.

Çfarë gëzimi ishte të dilja sërish i gjallë, mbi tokë dhe ta shohësh qiellin e hapur. Oh Zot thashë me vete, qenkam sërish i gjallë mbi tokë, dhe nuk paskam vdekur. Fillova t’i lëvizja ngadalë duart, këmbët  dhe ta prekja fytyrën  për ta larguar dheun që më kishte hyrë në gojë. Fillova ta ndjejë të gjallë sërish trupin dhe më besoni mu duk sikur rilinda edhe një herë.

Në ato çaste të zbehta, kisha ndjenja të përziera pikëllimi e gëzimi dhe papritmas m’ u kujtua dhe mu shfaq para syve, vetëm nëna ime me shikim e saj të dhembshur. Ajo ka kaluar vuajtje të shumta në jetë dhe ka përjetuar varfërinë e skajshme me vite të tëra , për të na rritur neve fëmijëve, bijtë e saj dhe për të na mbajtur gjallë.

Dhe derisa të tjerët qanin mbi kokën time. u binda se sa e vlefshme qenka jeta e njeriut, dhe sa madhështi qenka të jesh i gjallë mbi tokë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat