Studime në Gjermani, si aplikohet dhe shanset për të fituar

Lajme

Studime në Gjermani, si aplikohet dhe shanset për të fituar

Më: 14 tetor 2016 Në ora: 10:55
Foto ilustrim

Kush kërkon të studiojë në Gjermani, duhet të informohet që në vendin e tij për kushtet e udhëtimit. Një takim i organizuar pikërisht për këtë fakt, me titull “Dita e informacionit rreth studimit, bursave dhe praktikave është zhvilluar dje në vazhdën e aktiviteteve të “Tetorit Gjerman”, ku përfaqësuesit zyrtarë të ambasadës kanë folur për mundësitë dhe përfitimet nga universitetet gjermane. Sipas tyre, sistemi arsimor që ka krijuar shteti atje, u jep të gjithë të rinjve shansin për të fituar statusin e studentit, sepse dhe kostoja është në mesataren e shtetit shqiptar.

Sistemi

Ata që do të studiojnë në universitetet gjermane, njëkohësisht gjatë studimeve, do të kryejnë edhe punë praktike. Industria aktuale në qendrat e ndryshme në qytetet e mëdha ofrojnë mundësi të mëdha për studentë që të realizojnë punën praktike në firma të ndryshme dhe në pozita të caktuara. Pavarësisht se në cilin regjion të Gjermanisë vendoset një student, ofrohen shumë mundësi për aktivitete dhe udhëtime të ndryshme që do të mund të ndërmerreshin gjatë kohës së lirë në mënyrë që të njihet më mirë vendi dhe specifikat e tij. “Sistemi i studimeve në Gjermani është realizuar sipas reformës së Bolonjës në Bachelor dhe Master. Diploma fillestare është Bachelor dhe më pastaj në mënyrë vullnetare mund të vazhdohet në thellimin e studimeve në Master. Të dy studimet janë të pavarura dhe përfundohen me diploma të njohura globalisht. Universitetet gjermane kanë një njohje internacionale, edhe duke u bazuar edhe në pikëzim. Pavarësisht nga vendi, ofrohen mundësi të ndryshme hulumtuese që ndërlidhen direkt me studime dhe me punën praktike”, shpjegon guida për studimet.

Aplikimi

Në universitetet gjermane, kush dëshiron të kryejë studime të plota në Bachelor apo Master, duhet t’i nënshtrohet procedurave të rregullta sikurse edhe një student gjerman edhe pse në raste të veçanta ka numër të caktuar të rezervuar për studentë të huaj. Aplikimi duhet te jetë individual në universitetet pritëse. Por, duhet  theksuar se proceduarat e aplikimit janë mjaft të ndryshme nga njëri universitet tek tjetri. “Bazuar në këtë duhet të plotësohen parakushte të ndryshme për pranim, kushte të ndryshme si dhe dokumente të ndryshme dhe specifike. E para dhe më e rëndësishmja është që ju të kyçeni në faqen zyrtare të universitetit apo të kontaktoni këshilluesit përkatës dhe të informoheni saktësisht me kushtet të cilat ju duhet t’i plotësoni si dhe cilat janë veçantitë për studentë të huaj që duhet të keni kujdes së bashku me plotësimin e dokumenteve të domosdoshëm.

Drejtimet e caktuara të lira mund te studiohen pa ndonjë notë mesatare speciale apo ndonjë kusht të veçantë, mirëpo edhe në këto drejtime është e nevojshme që të aplikoni dhe të regjistroheni për shkak të formaliteteve”, sqarojnë përfaqësuesit zyrtarë. Sipas programit që një i ri shqiptar kërkon të përzgjedhë e të regjistrohet, duhet të aplikojë specifikisht në të. “Aplikimi kryhet me plotësimin të formularit të shkollës së lartë përkatëse dhe një kopje të vërtetuar të diplomës së shkollës së mesme. Për studentët shqiptarë, kërkohen edhe njohuritë gjuhësore, leja e qëndrimit dhe  informacione specifike, të cilat mund të gjenden në faqen aplikuese të universiteteve përkatëse.

“Aplikimi realizohet kryesisht përmes një formulari online, i cili duhet patjetër të plotësohet. Por, kritere specifike ka edhe për drejtime, ku numri i studentëve shqiptarë është i kufizuar, si Mjekësia, Stomatologjia, Farmacia dhe Veterinaria. Një faqe zyrtare dhe e me informacion të detajuar për aplikimet është ëëë.hochschulstart.de”, shpjegon guida e studimeve. Ndërkohë, duhet thënë se jo në çdo moment mund të aplikohet për të ndjekur shkollat e larta në Gjermani. “Mbyllja e aplikimeve zgjat shpesh deri në gjysmë viti para fillimit të studimeve dhe kush humb nuk do të pranohet. Është e këshillueshme që mos të pritet deri në ditën e fundit të afatit kohor, por të aplikoni sa më herët që të mundeni, në mënyrë që dokumentet që mungojnë të mund t’i dërgoni në kohë”.

Sistemi i notave

Secili person që dëshiron të studiojë në Gjermani, duhet të jetë i informuar edhe për sistemin e notave. Certifikatat e notave nga vendi që vijnë duhet të jenë të përkthyera dhe të plotësohen kushtet bazike për studime në Gjermani. Më pas, notat e realizuara gjatë studimeve në Gjermani kanë një rëndësi të veçantë për shkak të mesatares së përgjithshme të notave dhe provimeve të përfunduara. “Parimisht në Gjermani janë dy sisteme të ndryshme të notave. Njëra metodë është nga njëshi deri në gjashtë, ku njëshi është ‘shumë mirë’ dhe gjashta është ‘i pa mjaftueshëm’. Ky sistem përdorët më së shpeshti. Varet nga shkolla por kjo vlen prej klasës së parë deri te klasa e 10-të si dhe nga shkollat profesionale dhe shkollat e larta respektivisht universiteteve. Notat shprehen me shifra decimale dhe tabela e saktë e tyre është si në vijim:

Shumë mire; 2.0- Mirë; 3.0- Kënaqshëm; 4.0-Mjaftueshëm; 5.0-Me mangësi; 6.0-Jo mjaftueshëm

Sa kushton shkolla dhe jetesa në Gjermani

Gjermania me 190 000 studentë të huaj në vit, zë vendin e tretë në botë sa i përket studentëve që vijnë nga vendet e ndryshme të botës, shifër kjo, e cila është në rritje. Edhe pse me kushte të mira studimi, për shumicën nga ta, ka ende vështirësi. Fati është i njëjtë për të gjithë, e këtë fat e kanë edhe shumë studentë shqiptarë, të cilëve u janë hapur dyert ne Universitetet më të njohura gjermane. Studentët shqiptarë janë kryesisht të orientuar në qytetet kryesore, Berlin, Hamburg, Mynih, Shtutgart, Dyseldorf etj, ndërsa guida me pyetje përgjigje e përgatitur nga Ambasada Gjermane shpjegon edhe koston e studimeve dhe vlefshmërinë e diplomave.

Ç’lloje shkollash të larta ekzistojnë në Gjermani?

Tre lloje kryesore: universitete, institute të larta profesionale dhe shkolla të larta të arteve.

Cilat janë ndryshimet midis këtyre shkollave të larta?

Në mënyrë shumë të përgjithshme mund të thuhet që studimet në universitete janë më teorike dhe më gjata në kohë, studimet në institutet e larta profesionale janë më praktike dhe më të shkurtra. Dhe është e kuptueshme që nuk mund të jepet një vlerësim i përgjithshëm për shkollat e larta të arteve.

Çfarë lloj diplomash mund të merren në shkollat e larta gjermane?

Diploma e instituteve të larta profesionale deri tani quhej “Diplomë”, ndërsa në universitete deri tani ka patur tre lloje diplomash: “Staatsexamen” për mjekët dhe juristët, “Diplomë” për studimet e shkencave natyrore, sociale dhe ato të inxhinierisë, si dhe “Magister” për studimet e dijeve humane.

Cili është ndryshimi kryesor midis sistemit shqiptar dhe atij gjerman?

Në Gjermani shkollat e larta gëzojnë një autonomi relativisht të madhe, si në aspektin financiar ashtu edhe në atë politik. Kjo do të thotë që çdo shkollë e lartë ka një profil të ndryshëm, gjë që në shumë raste krijon probleme për studentët e huaj që janë në kërkim të një universiteti ose të studimeve të përshtatshme. Nga ana tjetër shanset për të gjetur një universitet që përmbush maksimalisht dëshirat dhe kërkesat e studenteve janë më të larta. Por cilido qoftë universiteti juaj – në Gjermani mund të jeni të sigurt se kudo të studioni sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.

Sa kushtojnë studimet?

Se sa duhet të paguhet kjo varet nga vendi dhe universiteti. Secili land mund të vendos vetë për këtë. Në vendet si Bayern, Hamburg, Niedersachsen dhe Nordrhein-Ëestfalen, ende qëndrojnë taksat për student. Kjo vlen për shumicën e studentëve dhe është në shumën e përafërt 500 euro për semestër. Të gjitha landet e tjera nuk parashohin taksa për student apo në ndonjë rast vetëm pas zgjatjeve të studimeve apo për studim dytësor. Kush është i interesuar për një studim privat në shkolla të larta profesionale do të duhej të llogariste në taksa shumë më të larta. Kjo është nga shkaku që shkollat e larta profesionale financohen vetëm nga taksat e studentëve dhe për këtë edhe janë më të larta. Mund të llogaritni që në disa raste kjo kosto mund të variojë deri në shumën prej 20 000 euro.

Krahas taksave për student në Gjermani është edhe pagesa për semestër. Kjo përcaktohet nga secili student dhe mbulon shpenzimet administrative si dhe financimi i mensës, ambienteve sportive dhe banimin. Sa i përket jetesës, ekspertët dhe përvoja e deritanishme kanë treguar se 6500 euro në vit janë të mjaftueshme për një jetë modeste të një studenti. Pra, nga çdo aplikues për një vizë studimi, Ambasada Gjermane kërkon garancinë që ai ose ajo është në gjendje të mbajë veten, minimumi është 6500 euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat