Të sëmurët mendor nuk trajtohen vetëm në spitale, por edhe në qendra rehabilituese

Lajme

Të sëmurët mendor nuk trajtohen vetëm në spitale, por edhe në qendra rehabilituese

Më: 10 tetor 2016 Në ora: 12:40
Pamje nga takimi

Organizata Botërore e Shëndetësisë me seli në Kosovë e ka shënuar Ditën Botërore të Shëndetit Mendor 2016, ku u tha se në Kosovë menjëherë pas luftës trajtimi i këtyre të sëmurëve bëhej vetëm në spitale derisa sot ka një numër të qendrave rehabilituese për një gjë të tillë.

Shefi i zyrës së OBSH-së në Prishtinë, Skënder Syla, tha se ruajtja dhe përparimi i shëndetit mendor mund të bëhet përmes ngritjes së vazhdueshme të cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

“Rëndësia e promovimit të ruajtjes dhe përparimit të shëndetit mendor përmes ngritjes së vazhdueshme të cilësisë së shërbimeve shëndetësore në përgjithësi dhe veçanërisht të atyre që dedikohen enkas kësaj sfere të pandarë të shëndetit është e padiskutueshme dhe gjerësisht e pranuar. Shëndeti mendor ka të bëjë me një gamë të gjerë aktivitetesh të ndërlidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me komponentin apo mirëqenies mendore të përfshirë me përkufizim e njohur mirë të OBSH-së për shëndetin se gjendja e mirëqenies së plotë fizike mendore dhe sociale dhe jo vetëm mungesë e thjeshtë e sëmundjes. Kjo ka të bëjë me promovimin e shëndetit mendor, parandalimin e çrregullimeve mendore dhe trajtimin e rehabilitimit të njerëzve të prekur nga çrregullimet mendore”, tha Syla.

Me rastin e shënimit të kësaj dite u bënë edhe dy prezantime nga mjekët Shaban Mecinaj dhe Besnik Stuja me temë: “Arritjet dhe Sfidat e Shërbimeve të shëndetit mendor me bazë në komunitet në Kosovë” si dhe “Ndihma e parë psikologjike” nga Fitim Uka.

Edhe pse në këtë takim ishte ftuar ministri Imet Rrahmani ai mungoi, por edhe zyrtarë tjerë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Përndryshe, takimi i sotëm është vazhdimësi e përpjekjeve të zyrës së OBSh-së në Prishtinë për ndërgjegjësimin e përgjithshëm në lidhje me problemet e shëndetit mendor, domosdoshmërinë e promovimit të shëndetit të mirë mendor, dobinë e parandalimit dhe trajtimit të hershëm të problemeve të kësaj natyre dhe përfitimin shëndetësorë dhe ekonomik nga një qasje e tillë proaktive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat