QS e fillon punën, pranon rreth 5 mijë studentë

Lajme

QS e fillon punën, pranon rreth 5 mijë studentë

Më: 8 tetor 2016 Në ora: 11:07
Qendra studentore

Qendra e Studentëve i ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri akademik, duke e përmbyllur edhe konkursin për regjistrim të studentëve në të gjitha konviktet dhe në mesën e kësaj qendre.

Megjithëse me kapacitet jo të mjaftueshëm për të gjitha kërkesat për banim në këtë qendër, Qendra e Studentëve (QS) i ka pranuar rreth 3 mijë e 600 studentë për banim dhe 1 mijë e 500 studentë më shumë në mensë nga mbi 7 mijë sa kanë aplikuar.

Drejtori i QS-së, Fatmir Sfishta, ka thënë se përparësi sivjet sa i përket konkursit dhe regjistrimit të studentëve ka qenë aplikimi online, i cili e ka lehtësuar punën.

Ai ka shpjeguar se kriter kryesor për regjistrim në konvikte por edhe në mensë është që studenti të jetë në studime të rregullta, derisa kriteret tjera kryesisht kanë të bëjnë me suksesin e studentëve që e kanë përfunduar vitin e parë, pasi që ata që janë në fillim të studimeve të gjithë trajtohen të barabartë me nga 15 pikë në fillim të aplikimit.

Megjithatë, sa i përket datave të shpalljes së konkursit dhe përputhjes së tyre me datat e regjistrimit në UP, pasi që regjistrimi në QS ka përfunduara para se të përfundojë afati plotësues i regjistrimit në UP, Sfishta ka thënë se QS i ka afatet e veta kohore, ndërsa, i ka bërë apel UP-së dhe MASHT-it që provimet pranuese t’i organizojë më herët.

Kurse, sa i përket vendeve të rezervuara për kategori të luftës, Sfishta ka thënë se QS nuk ka vende të rezervuara por se këtyre kategorive u ndihmon me dhënien e disa pikëve qysh në start të konkursit.

Sfishta ka thënë se fëmijët e dëshmorëve në fillim i marrin 10 pikë, gjë që ata i diferencon në krahasim me aplikuesit tjerë dhe në këtë formë kanë përparësi në regjistrim.

Qendra e Studentëve posedon shtatë konvikte me gjithsej 3 mijë e 600 vende, si dhe mensën me rreth 5 mijë vende.

Pagesa për banim në konvikte është 20 euro, kurse, për ushqyerje në mensë është 15 euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat