Legija tha se ishte në vijën e parë të frontit në Kosovë kur u thirr në Beograd për një mision

Lajme

Legija tha se ishte në vijën e parë të frontit në Kosovë kur u thirr në Beograd për një mision

Më: 27 shtator 2016 Në ora: 17:27
Gjykimi

Milorad Ulemek, i njohur ndryshe si Legija, ish-komandant i policisë speciale i dënuar për vrasjen e kryeministrit Zoran Gjingjiq, u paraqit për herë të parë si dëshmitar në gjyqin e katër ish-oficerëve të sigurimit të shtetit për vrasjen e një gazetari opozitar.

Në paraqitjen e tij të parë si dëshmitar kyç në gjyq, Ulemek tha në gjykatën në Beograd të hënën se në vitin 1999 atij iu caktuan dy nga të pandehurit në gjyq për një mision të pacaktuar nga kreu i sigurimit serb të shtetit Radomir Markoviq, i cili akuzohet gjithashtu për përfshirje në vrasjen e gazetarit opozitar dhe kryeredaktorit Slavko Çuruvija.

“Në vitin 1999 isha në Kosovë në vijën e parë të luftës. Më thirrën në Beograd për një mision. Kur mora urdhrat për misionin, Markoviq më tha se për misionin do të më ndihmonin dy burrat që vranë Çuruvijën. Pas takimit, të pandehurit Ratko Romiq dhe Miroslav Kurak ishin para derës,” tha Ulemek.

Ish-zyrtarët e sigurimit të shtetit Romiq dhe Kurak janë ndër katër personat në gjyq për përfshirjen e tyre të dyshimtë në vrasjen e Çuruvijës.

Megjithatë, Ulemek nuk pranoi të shpjegonte se çfarë ishte misioni sepse ai mund “të komprometonte” veten dhe të rrezikonte të ndiqej penalisht.

Ai tha gjithashtu se Markoviq nuk i tregoi atij drejtpërdrejt se të dy personat ishin përgjegjës për vrasjen e Çuruvijës në prill 1999.

Prokuroria dyshon se vrasja e Çuruvijës u planifikua nga Markoviqi, Milan Radonjiq, Romiq dhe Kurak.

Gazetari u vra në Beograd në prill 1999. Dyshohet se kjo ndodhi për shkak të kundërshtimit të tij ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Sipas aktakuzës, para vrasjes, Çuruvija ishte nën mbikëqyrje nga sigurimi i shtetit.

Prokuroria beson se një ‘person i panjohur’ urdhëroi vrasjen dhe Markoviq e mbështeti vrasjen, ndërsa tre të pandehurit e tjerë morën pjesë në organizimin dhe ekzekutimin e vrasjes.

Të tre të dyshuarit e kanë deklaruar veten të pafajshëm, ndërsa Kurak është në arrati dhe po gjykohet në mungesë.

Markoviq aktualisht po kryen dënimin me 40 vjet burg për vrasjen e ish-presidentit serb Ivan Stamboliq dhe krime të tjera, ndërsa Romiq dhe Radonjiq ditën e martë u liruan nga akuza për tentativë për vrasje të liderit të partisë opozitare Vuk Drashkoviq në vitin 2000.

Ndërkohë Ulemek po vuan dënimin me 40 vjet burg për vrasjen e kryeministrit serb Zoran Gjingjiq në vitin 2003.

Ai shihet si një dëshmitar kyç në gjyqin e vrasjes së Çuruvijës, dëshmia e të cilit për përfshirjen e dyshuar të ish-kolegëve është tepër e rëndësishme për prokurorinë.

Ulemek tha në gjykatë të hënën se ai ka marrë kërcënime për vete dhe familjen e tij, por nuk mund të thoshte se nga kush kishin ardhur këto kërcënime.

I pandehuri Romiq e pyeti Ulemekun në gjykatë nëse ai, Romiq, ishte përgjegjës për kërcënimet.

Ulemek tha se nuk e dinte.

“Nuk më ke kërcënuar në mënyrë direkte. Ndoshta e ke bërë në mënyrë jo direkte, ndoshta jo. Ata që bënë kërcënimet nuk u prezantuan. Por do ta gjej se kush e dërgoi atë që dërgoi mesazhin,” tha Ulemek.

Çuruvija u qëllua 17 herë pas shpine para ndërtesës ku ai jetonte në Beograd – një vrasje që familja dhe ish-kolegët e tij besojnë ishte e motivuar nga qëndrimin e tij opozitar.

Gazetari ishte i hapur për kritikat e tij ndaj regjimit të presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq, duke e akuzuar atë hapur për krime lufte dhe drejtimin e një regjimi shtypës.

Disa ish-zyrtarë të lartë të sigurimit të shtetit kanë dëshmuar deri tani në gjyq. Pavarësisht dëshmive të tyre të ndryshme, pjesa më e madhe ranë dakord se Çuruvija u vra pak minuta pasi ekipi mbikëqyrës u urdhërua të mos e ndiqte më atë.

Ata thanë se Çuruvija u ndoq nga Sigurimi i Shtetit gjatë të gjithë vitit 1999 duke qenë se shihej si një armik i qeverisë së Millosheviqit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat