KMDLNJ: Edhe një presion mbi transmetuesin publik

Lajme

KMDLNJ: Edhe një presion mbi transmetuesin publik

Më: 23 gusht 2016 Në ora: 12:43
KMDLNJ

Këshilli për Mbrojtjen dhe të Drejtat dhe Liritë e Njeriut me anë të një komunikate ka ngritur shqetësimin për sulmet që po ndodhin në Kosovë.

Duke u nisur nga rasti i fundit, sulmi me granatë dore në RTK, KMDLNj vlerëson se në Prishtinë , kohëve të fundit kanë qenë disa sulme me mjete shpërthyese (Kuvendi i Kosovës, shtëpia e Murat Mehës) e tash edhe transmetuesi publik RTK.

 “Përkundër forcave të shtuara policore deri më tani nuk janë kapur ata që sulmuan me mjete shpërthyese sikur edhe ata që i urdhëruan apo planifikuan këto sulme që për qëllim kanë futjen e frikës dhe tensionimin e situatës e cila, edhe ashtu është pranë shpërthimit”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Sipas Këshillit mos kapja e sulmuesve që po e rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe institucioneve shtetërore dhe publike vetëm sa po krijon hapësirë për sulmin e radhës.

 “Për tensionimin e situatës mbajnë përgjegjësi edhe politikanët e pozitës dhe opozitës të cilët me fjalorin e tyre nxitës dhe përjashtues po bëhen krahë politik i këtyre grupeve kriminale të armatosura”, thuhet në reagim.

 KMDLNj e dënon ashpër sulmin e mbrëmshëm me granatë mbi objektin e Transmetuesit Publik – RTK dhe kërkon nga organet e hetuesisë, që më në fund t’i kapin këto grupe kriminale që po e rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe të institucioneve shtetërore dhe publike.

 “Ndonëse mund të ketë pakënaqësi me politikën edituese të RTK – së, askush nuk ka të drejtë që ta sulmojë këtë transmetues publik, të rrezikojnë jetën e të punësuarve apo pajisjet e RTK – së. Me veprime kriminale siç ishte ky sulm mbi RTK – në duhet të merret ligji kurse me RTK – në duhet të merret themeluesi i saj, Kuvendi i Kosovës . E jo grupet e organizuara kriminale .  RTK po përballet me vështirësi të mëdha materiale ku po rrezikohen edhe pagat e të punësuarve ndërsa sulmi me granatë e rëndon edhe më shumë situatën duke shkaktuar panikë në mesin e të punësuarve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat