A është kjo arsyeja pse Haklajt vranë Azemin? Ja çfarë thotë Fatos Klosi

Lajme

A është kjo arsyeja pse Haklajt vranë Azemin? Ja çfarë thotë Fatos Klosi

Më: 16 gusht 2016 Në ora: 10:13
Fatos Klosi

Duke kërkuar t’i qëndrojë larg çdo historie apo ngjarjeje të treguar sipas versionit “Haxhia”, ish-kreu i SHISH-it në një prononcim për “Panorama”, e cilëson Izet Haxhinë një roje të thjeshtë, që s’mund të ketë ditur gjërat për të cilat ai vetë pretendon se di.

“Nuk ia vlen të merresh me të. Është një roje që pretendon se di më shumë se shefi”, deklaron ish-kreu i SHISH-it. Fatos Klosi i cilëson si të pakuptimta trillimet që Haxhia sajon dhe publikon, por, sipas tij, mund të kenë për qëllim shkarkimin nga përgjegjësitë për gjërat që ish-truproja ka në ato ngjarje.

“Nuk e kuptoj ku do të dali me të gjitha këto që thotë. E vetmja gjë që mendoj është se do të shkarkohet nga ato përgjegjësitë e veta dhe tani kërkon të krijojë një tymnajë”, thekson ish-kreu i SHISH-it.

DEBATI

Në fillim të muajit gusht, ish-truproja e Berishës, Izet Haxhia, duke iu referuar të dhënave të librit “Shqipëria: Misioni i Pamundur”, kërkoi që të zbulohen lidhjet e gazetarit francez që e ka shkruar atë dhe ish-kreut të SHISH-it, Fatos Klosi.

Sipas Haxhisë, libri ishte krijuar në zyrat e SHISH-it të asaj kohe dhe për këtë kërkoi të hetohet në lidhje me një skenar për realizimin e një akti terrorist të hedhjes në erë të Ambasadës Amerikane në Tiranë, ku do të shkaktoheshin shumë viktima.

Haxhia kërkonte që të hetohej edhe vrasja e Azem Hajdarit, të cilën ish-truproja e Berishës e lidhte pikërisht me atentatin në Ambasadën e SHBA-ve.

Ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi, përgjatë gjithë shkrimeve dhe publikimeve të Haxhisë, ka preferuar të qëndrojë i distancuar nga ngjarja, duke bërë komentin e vetëm se Izeti kishte qenë thjesht një roje dhe asgjë më shumë.

Pas kësaj, pjesë e debatit u bë edhe avokati Idajet Beqiri, i cili dha versionin e tij në lidhje me këtë ngjarje. Në shkrimet që pasuan në profilin e tij në “Facebook”, Haxhia hodhi akuza për imoralitet dhe orgji të kryera, sipas tij, në zyrat e SHISH-it.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat