Gegaj: Shtyrja e ratifikimit të demarkacionit, mesazh i keq

Lajme

Gegaj: Shtyrja e ratifikimit të demarkacionit, mesazh i keq

Më: 14 gusht 2016 Në ora: 00:21
Nikollë Gegaj

Anëtari i Këshillit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Parlamentin e Malit të Zi dhe deputetë i Partisë Demokratike të Socialistëve, Nikollë Gegaj, konsideron se vendimi i Kuvendit të Kosovës për të shtyrë ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi është mesazh i keq nga Prishtina zyrtare.

Gegaj e ka vlerësuar absolutisht të papranueshme  sjelljen e disa opozitarëve në Kosovë, të cilët janë përpjekur të hyjnë në territorin e Malit të Zi, duke theksuar që me këtë akt kanë tentuar të rrezikojnë marrëdhëniet e mira mes dy shteteve.

“Shtyrja e miratimit të Ligjit për ratifikim në parlamentin e Kosovës, nën ndikimin e elementeve radikale, është një mesazh shumë i keq për qytetarët e Kosovës dhe për shtetin e Kosovës, në sytë e bashkësisë ndërkombëtare, ka thënë Gegaj për gazetën Pobjeda, duke rikujtuar se edhe vetë presidenti i SHBA-së, Barak Obama, në një bisedë me ambasadoren e Kosovës në SHBA, Vlora Çitakun, e ka përshëndetur dhe mbështetur marrëveshjen për demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Qëndrim të njëjtë ka shprehur edhe BE-ja dhe kjo marrëveshje  është kusht për liberalizimin e vizave.

Gegaj, si deputet dhe anëtar i Komisionit Shtetëror, ka marrë pjesë në mënyrë aktive në procesin e demarkacionit mes dy vendeve.

Mali i Zi dhe Kosova, në gusht të vitit të kaluar, në Vjenë, kanë nënshkruar marrëveshjen për demarkacion, ku të pranishëm ishin presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ministri i jashtëm i Austrisë, Sebastijan Kurc. Marrëveshja u ratifikua nga Mali i Zi.

Gegaj tha se në fillim të shtatorit pret vendim pozitiv nga Kuvendi i Kosovës  dhe që opozita radikale do ta kuptojë se është më mirë të kemi me të gjithë fqinjët marrëveshjet për demarkacion, duke pasur parasysh se asnjë shtet nuk humb,  por të gjithë së bashku në rajon fitojnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat