Dëshmitari përmend Hashimin në rastin e Limajt

Lajme

Dëshmitari përmend Hashimin në rastin e Limajt

Më: 23 korrik 2016 Në ora: 22:45
Seanca kundër Limajt

I pyetur nëse dinte për bisedën me SMS mes Fatmir Limajt dhe Mehmet Shkodrës, Zukri Qarolli tha se asnjëherë nuk kanë diskutuar për to.

Emri i presidentit Hashim Thaçi është apostrofuar në seancën e 20 korrikut në gjykimin ku i akuzuar është ish-ministri i Transportit, Fatmir Limaj.

Duke sjellë në kujtesë ngjarjet e vitit 2008, dëshmitari i Prokurorisë, Zukri Qarolli, ka kujtuar bisedat me biznesmenin Mehmet Shkodra, i cili e kishte siguruar për lidhjet me në atë kohë shefin e Qeverisë.

“Ai më ka thënë se i ka disa njerëz të mëdhenj në Qeveri. Nuk ka përmendur me emra, por në një rast më ka thënë se me njerëz të lartë, specifikisht me kryeshefin Hashimin. Unë në hajgare i kam thënë se ai e ka çliruar Kosovën dhe kjo është punë e vogël”, ka thënë dëshmitari.

Duke rrëfyer për ngjarjet e 2008-tës, dëshmitari ka sqaruar se nuk ka qenë në dijeni për komunikimet me mesazhe në mes ish-ministrit të Transportit, Fatmir Limaj dhe biznesmenit të ndjerë Mehmet Shkodra.

Komunikimet me mesazhe vlerësohen të jenë prova kryesore në gjykimin ndaj Limajt, por vërtetësia e tyre është kontestuar në vazhdimësi nga mbrojtja e të pandehurit.

“Unë nuk kam diskutuar asnjëherë për këso mesazhesh”, ka thënë dëshmitari duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit nëse Limaj e Shkodra kishin shkëmbyer mesazhe për restorantin ku do mbahej një takim.

Qarrolli, i cili me biznesmenin Shkodra kishin një marrëdhënie biznesore, rrëfeu për momentet kur ata kishin planifikuar të aplikonin për të marrë tenderin për të asfaltuar rrugën Ponesh-Zhegovc, tender ky i cili nuk u fitua nga këta të dy.

Intervistimi i dëshmitarit Qarrolli u ndërpre në momentin kur avokati i Limajt, Tahir Rrecaj, u ankua për mungesën e disa dokumenteve.

Në këtë proces gjyqësor Fatmir Limaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar lidhur me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në Komunën e Gjilanit. Për të njëjtat vepra ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku e Florim Zuka.

Limaj këtë aktakuzë që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2 më 30 tetor të vitit të kaluar e cilësoi të ngritur me urdhër politik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat