Mkhitaryan në Manchester Utd: Një ëndërr e kthyer në realitet

Futboll

Mkhitaryan në Manchester Utd: Një ëndërr e kthyer në realitet

Më: 6 korrik 2016 Në ora: 17:32
Mkhitaryan e Mourinho

Edicioni i ri në Premier League gjithsesi se do të jetë më atraktiv për dashamirët e futbollit. Për faktin se disa nga klubet do të udhëhiqen nga trajnerët të njohur, si Jose Mourinho që do ta drejtojë Manchester Utd, Anotonio Conte Chelsean, Pep Guardiola Manchester Cityn, Jurgen Klopp Liverpoolin etj. Manchester Utd tash për tash jep shenja se do të jetë një ekip shumë më e fortë dhe që do të luftojë për titull, jo vetëm, që ka për trajner Mourinhon, por ka sjell në petkun e tyre edhe sulmuesin armen, Henrikh Mkhitaryan, i cili është paraqitur nga periudha 2013 e deri më tash për ekipin gjerman, Dortmund. Mkhitaryan iu është bashkuar zyrtarisht Manchester Utd nga Dortmund dhe ka firmosur kontratë katërvjeçare.  Mesfushori është prezantuar para gazetarëve dhe me besim të madh se do të tregojë kualitetet në Premier League. Mkhitaryan ka qenë Lojtari i Vitit në sezonin e kaluar, duke realizuar 11 gola dhe 15 asistime. “Jam shumë krenar që jam pjesë e Manchester Utd, kjo është një ëndërr e kthyer në realitet. Jam shumë i entuziazmuar për faktin se do të luaj për një klub që ka një histori kaq të madhe dhe shpresoj të jem këtu për një kohë të gjatë. Dua të falënderoj Jose Mourinhon dhe klubin për besimin që kanë treguar ndaj meje. Në fund, dua të them se aktivizimi im te United nderon kujtimin e babait tim, i cili më ka frymëzuar shumë kur kam qenë i ri”, ka thënë Mkhitaryan. Pas Eric Bailly dhe Zlatan Ibrahimoviç, ai është blerja e tretë e Jose Mourinhos.  Mourinho është i lumtur që Mkhitaryn iu bashkua ekipit të ‘Djajve të Kuq’. “Henrikh është një futbollist shumë i talentuar, i cili ka qenë vendimtar me klubin dhe kombëtaren e tij. Është një lojtarë skuadre shumë i aftë, me vizion dhe me nuhatje për golin. Më vjen mirë që ka zgjedhur të nënshkruajë me Manchester Utd. Besoj se do të ketë një ndikim të menjëhershëm te loja e ekipit sepse loja e tij është perfekt për Premier League. Të gjithë ne presim me padurim që të punojmë me të”, ka thënë Mourinho. Manchester Utd synon të përgatitet sa më mirë për kampionatin anglez që fillon me 13 gusht dhe në hapje takohen me Bournemouth-in.  Mkhitaryan dhe Ibrahimoviç, pa dyshim se do të jenë dy futbollistë që do të luajnë rol të rëndësishëm në ekipin e Manchester Utd dhe pritet ta kthejnë shkëlqimin që kishte dikur ky klub, kur udhëhiqej nga legjenda Sir Alex Ferguson.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat