Hahn diskuton me Ramën për integrimin dhe reformën në drejtësi

Shqipëria

Hahn diskuton me Ramën për integrimin dhe reformën në drejtësi

Më: 4 korrik 2016 Në ora: 19:16
Hahndhe Rama

Reforma në drejtësi ka qenë në fokus të një takimi që komisioneri për Zgjerim në BE Johannes Hahn pati me shefin e qeverisë Edi Rama, në kuadër të Samitit të Ballkanit që po mbahet në Paris.

Përmes një postimi në twitter, Hahn shkruan se pati një takim të mirë nme Kryeministrin shqiptar, me të cilin ndër të tjera ka folur dhe për proçesin e integrimit në BE të vendit tonë.

“Takimi i mirë me kryeministrin Rama. Diskutuam për rrugën e Shqipërisë drejt BE dhe reformën në drejtësi”.
Ndërkohë në Paris ka nisur sot pasdite takimi i tretë i nivelit të lartë i kryeministrave të vendeve të Ballkanit perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Europian dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.

Në takim pritet të ketë një vlerësim të ecurisë së projekteve të mbështetura në Samitin e Vjenës, ku u miratuan 10 projekte të ndërlidhjes rajonale (6 në infrastrukturën rrugore e 4 në infrastrukturën energjitike).

Po ashtu, pritet të miratohen 3 projekte gjithsej, ndër të cilat 1 projekt lidhet me Shqipërinë, me rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e segmentit hekururdhor Tiranë – Rinas, me një vlerë investimi 81 milionë Euro, nga të cilat granti i Fondit të Ballkanit perëndimor do të jetë 35 Milionë Euro.

Dy projektet e tjera, janë dorëzuar nga Serbia, e ka të bëjë me modernizimin e hekurudhës Nis-Dimitrovgrad-kufiri me Bullgarinë, me një grant 44 milionë Euro, dhe projekti nga Kosova për rehabilitimin e Hekurudhës Fushë-Kosovë-Mitrovicë, që do mbështetet me një grant 17 prej milion Eurosh.

Ndërkohë, projekti i Gazsjellësit Adriatiko-Jonian është paraqitur si një projekt rajonal në kuadër të WBIF (Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor), dhe do të mbështetet financiarisht nga BERZH-i studimi i fizibilitetit me 3,5 milionë Euro.

Në përfundim të takimit të sotëm, është parashikuar të nënshkruhet edhe marrëveshja për themelimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor një nismë e kryeministrave të të Shqipërisë dhe Serbisë. Vendet e rajonit do të kontribuojnë me një total prej 1 milion eurosh për funksionimin e Zyrës Rajonale, ndërkohë që 1 milion euro të tjera do të ofrohen nga BE-ja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat