Prokuroria paralajmëron, nga hetimi nuk do të kursehen as komandantët

Aktuale

Prokuroria paralajmëron, nga hetimi nuk do të kursehen as komandantët

Më: 28 qershor 2016 Në ora: 09:56
Ilustrim

“Ky hetim nuk ka të bëjë me ata persona që kanë dhënë kontribut në UÇK, por ky hetim është i drejtuar ndaj atyre individëve që kanë kryer keqpërdorime eventuale duke dhënë dëshmi të rrejshme apo duke paraqitur dokumentacion fiktiv të falsifikuar për të përfituar statusin e veteranit të luftës. Nëse konstatohet një gjë e tillë personat e caktuar do të përballen me ligjin, pavarësisht pozitës që kanë apo kanë mundur ta kenë gjatë një periudhe historike në të kaluarën”, ka shtuar Kozmaqi.

Numri prej 46 mijë veteranë, luftëtarë e invalidë të luftës nxiti reagime të shumta.

Reagimet ishin kundër një numri të tillë, duke thënë se listat janë fryer.

E për këtë, tashmë prokuroria ka vendosur që të nisë hetimet për personat që kanë mashtruar me këto lista.

Gazeta Bota Sot kishte shkruar lidhur me këtë, ku nga Prokuroria kishin thënë se ende nuk flitet për ndonjë hetim, pasi nuk ka diçka konkrete.

Jo shumë kohë pas kësaj, prokuroria doli me njoftim se do të fillojë hetimet për listat e veteranëve të luftës.

Zëdhënësja për informim në Prokurorinë e Shtetit, Liridona Kozmaqi, ka thënë për gazetën Bota Sot se ka filluar grumbullimi i informata të nevojshme që të dihet nëse ka nevojë për hetim dhe se nëse ka, personat e caktuar do të përballen me ligjin.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në bazë të autorizimeve ligjore që ka, ka kërkuar nga prokuroria kompetente, fillimin e grumbullimit të informatave të nevojshme për të përcaktuar nëse ka vend për inicimin formal të hetimeve, në lidhje me rastet individuale të keqpërdorimeve eventuale që kanë mundur të ndodhin gjatë hartimit të listave të veteranëve të UÇK-së. Më pas varësisht nga grumbullimi i informatave do të përcaktohet nëse ka fakte për ndjekje penale ndaj personave përgjegjës dhe rrjedhimisht edhe për ngritje të aktakuzës”, ka thënë ajo për gazetën Bota Sot.

Kozmaqi shton se nëse ka shkelje, ndjekja penale dhe ngritja e atakuzës do të bëhet për persona të caktuar, pavarësisht pozitës që kanë pasur apo kanë sot.

“Ky hetim nuk ka të bëjë me ata persona që kanë dhënë kontribut në UÇK, por ky hetim është i drejtuar ndaj atyre individëve që kanë kryer keqpërdorime eventuale duke dhënë dëshmi të rrejshme apo duke paraqitur dokumentacion fiktiv të falsifikuar për të përfituar statusin e veteranit të luftës. Nëse konstatohet një gjë e tillë personat e caktuar do të përballen me ligjin, pavarësisht pozitës që kanë apo kanë mundur ta kenë gjatë një periudhe historike në të kaluarën”, ka shtuar ajo.

Lidhur me gjithë këtë hetim, Naim Miftari, ish pjesëtar i SHIK-ut dhe ish pjesëtar i UÇK-së, ka thënë për gazetën Bota Sot se prokuroria duhet t’i hetojë listat, pasi janë të fryera e i përshtaten politikanëve.

“Numri është i fryer për së paku 30 mijë veteranë e përgjegjësinë kryesore e bartë Agim Çeku me komandantët e zonave që e kanë rritur numrin me votues partiak dhe krahinor, e jo me ushtarë real. Jam i mendimit se nuk duhet humbur kontributi i askujt, por nuk jam kurrsesi që t’i fusim si luftëtarë edhe njerëzit që kanë sabotuar luftën, e sot për një nevojë politike t’i afrojnë ata njerëz, t’i fusin në rrethin e luftëtarëve. Kjo është turp i madh. Asnjëherë me asnjë fond në botë, Kosova nuk mund t’i dalë hakut dëshmorëve, invalidëve dhe luftëtarëve të vet, por të marrësh njerëz nga rruga, nga estrada, votues politik. Politikanët duhet të kërkojnë fonde dhe të mos i fusin këto kategori të kushtëzuara votuesish të tyre, pasi kjo llogaritet mashtrim dhe tradhti ndaj veteranëve real që luftuam”, ka thënë ai.

Më tej, Miftari hedh akuza në drejtim të presidentit Thaçi, për të cilin thotë se duhet t’i shpërblejë ndryshe votuesit, e jo në këtë mënyrë.

“Presidenti Hashim Thaçi por edhe disa ish komandantë zonash duhet të gjejnë mënyra tjera që t’i shpërblejnë apo t’i blejnë votuesit politikë, e jo me pensione të veteranëve nga radhët e UÇK-së dhe FARK-ut. Dihet se këto manipulime dikujt i kanë sjellë pasuri dhe kjo është tradhti ndaj vendit. Fatkeqësisht këtë vend nuk ka kush ta mbrojë nga mafia politike. Po t’i thirrnin këta luftëtarë, veteranë të Stankovcit në luftë eventuale në Mitrovicë të Veriut, jam i bindur se do të mungonin mbi 30 mijë veteranë. E gjithë kjo po bëhet nga politikanë, kinse UÇK e udhëhequr nga presidenti, i cili nganjëherë thotë se ka qenë në luftë, e nganjëherë që nuk ka qenë në front, për t’i ikur përgjegjësisë komanduese të luftës, sidomos tani kur kërkohen llogari për krime”, ka thënë Miftari për Bota Sot.

Ndwrsa kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ditë më parë ka thënë se Qeveria është përgjegjëse për fyerjen e listave dhe se ajo duhet t’i pastrojë ato.

Kurse këshilltari politik i kryeministrit Mustafa, Faton Abdullahu, thotë se është çështje e Prokurorisë të vendosë se si dhe çfarë do të ndërmarrë për këtë çështje./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat