Vetura zyrtare e kryetarit të Mitrovicës me targa të Serbisë!

Mitrovica

Vetura zyrtare e kryetarit të Mitrovicës me targa të Serbisë!

Më: 27 qershor 2016 Në ora: 11:20
Goran Rakiq

Vetura zyrtare ‘Toyota Land Cruiser’ me targat 2Z, e cila i takon kryetarit të Komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, është parë mbrëmë rreth mesnatës me targa provuese të Republikës së Serbisë, duke hyrë nga Serbia në Kosovë, përkatësisht në pikën kufitare të Jarinjës, bëjnë të ditur burime.

Sipas këtyre burimeve, përkundër sugjerimeve të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që në territorin e Republikës së Kosovës kryetari Rakiq duhet t’i heq targat e Serbisë dhe t’i vendosë targat zyrtare të Kosovës, ky i fundit nuk ka pranuar assesi, duke thënë se edhe ajo pjesë është Serbi.

“Mbrëmë rreth orës 24:00 në Jarinje, Rakiq ka dashur që me veturën e tij zyrtare në të cilën kishte të vendosura targa provuese të Serbisë të hyjë në Kosovë, mirëpo nuk është lejuar nga policët e Kosovës. Ai pastaj ka rezistuar dhe nuk ka pranuar assesi të heq targat e Serbisë, ndërsa ka thënë se edhe ajo pjesë e Kosovës është Serbi. Rakiq është mbajtur rreth dy orë në kufi për t’iu bindur urdhrave të Policisë, derisa nga Pristhina është bërë trysni ndaj policëve dhe në fund është lejuar që kryetari Rakiq të vazhdojë lëvizjen brenda territori t të Kosovës me targa të Serbisë”, kanë thënë burimet.

Burimet më tej kanë shtuar se Rakiq gjatë kohës sa ka qëndruar në kufi ka komunikuar përmes telefonit me disa persona, në mesin e të cilëve edhe me zëvendësministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Millan Radojeviq.

“Diku rreth orës 2:00 të mëngjesit, pasi policët janë kontaktuar nga dikush prej strukturave të larta të policisë në Prishtinë, ata janë detyruar ta lejojnë kryetarin Rakiq që të vazhdojë me targa të Serbisë brenda territorit të Kosovës”, thonë burimet.

Në anën tjetër, KosovaPress-i ka kontaktuar përmes telefonit me komandantin e policisë në kufirin e Jarinjes, Skender Sadiku, i cili ka konfirmuar pjesërisht ngjarjen.

Sipas tij, është e vërtetë se ka pasur telashe të vogla me kryetarin e Mitrovicës Veriore Goran Rakiq rreth targave të automjetit të tij mbrëmë në Jarinje, dhe ai është ndaluar më gjatë në kufi.

“Pavarësisht kush është në pyetje, ndonjë ministër apo qytetar i rëndomtë, ne zbatojmë ligjet e Kosovës”, ka thënë shkurt Sadiku.

Ai ka mohuar të ketë intervenuar drejtori i policisë së Kosovës apo dikush nga strukturat e larta në polici, ndërsa nuk ka dhënë detaje se si Rakiq është lejuar të vazhdojë rrugën me targa të Serbisë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat