Dështimi i ratifikimit të Demarkacionit dhe plani i Kadri Veselit!

Opinione

Dështimi i ratifikimit të Demarkacionit dhe plani i Kadri Veselit!

Faik Krasniqi Nga Faik Krasniqi Më 20 qershor 2016 Në ora: 15:48

Kufiri i Kosovës me Malin e Zi, gjithmonë ka qenë tek Çakorri ose tek Kulla e Zhlepit. Kështu ka qenë gjithmonë.
Konsideroj që shumica e deputetëve të koalicionit qeverisës, e kanë ditur që me këtë marrëveshje Kosova humb territor, por kanë qenë të ndikuar nga partitë e tyre, prandaj edhe kanë heshtur deri më tash.

Madje, disa prej deputetëve kanë dalur me ose pavetëdije haptas në mbështetje të kësaj vije kufitare të punuar nga Komisioni shtetëror për shënimin e vijës kufitare, të udhëhequr nga Murat Meha. Në vend se të kërkonin llogari nga ai, kur ekspertët tanë alarmonin që Kosova me këtë marrëveshje do të humbas territorë.

Prandaj, kjo vijë kufitare nuk guxon të ratifikohet në Kuvend kështu siç është punuar nga ky komision, por të krijohet një Komision i ri dhe ky gabim që kishte për tendencë ka tkurr Kosovën prej mbi 8 mijë hektar tokë, të përmisohet e pastaj të dërgohet për ratifikim në Kuvend. Në të kundërtën çështja e Demarkacionit të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit. Por, kjo nuk guxon të ngelet me kaq.

Liderët e këtij koalicioni dhe përgjegjësit e Komisionit shtetëror për shënimin e vijës kufitare, si dhe Komisioni i Kuvendit, duhet të japin llogari për këtë idiotësi dhe tradhëti kombëtare që kanë bërë. Dikush duhet të futet në burg për këtë gjë, sepse përveç që është vepër penale, mbi të gjitha është tradhëti e lartë kombëtare.

Plani i Kadri Veselit!

Kadri Veseli ka ambicie të mëdha në politikë. Jorastësisht nuk erdhi fillimisht drejt e në postin e zëvendëskryetarit të PDK-së, post ky që nuk ka ekzistuar ndonjëherë në asnjë parti, pastaj të Kryetarit të Kuvendit dhe jo më shumë se një muaj zyrtarisht edhe kryetar I PDK-së, edhe pse ai ka qenë gjithmonë kryetar nën hije i saj. Tash ai ka në dorë dy armë shumë të fuqishme, për ta prishur koalicionin me LDK-në dhe Kosovën ta dërgojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, Demarkacionin me Malin e Zi, dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Që padyshim se humbësja më e madhe do të jetë LDK-ja kurdo që të mbahen zgjedhjet, sepse elektorati i saj kurrë nuk do t'ia fal tradhëtinë që ua bëri, kur për hir të interesave të ngushta të Isa Mustafës dhe klanit të tij, shkuan në prehrin e PDK-së dhe SHIK-ut. Besoj që do të jetë mësim i mirë ky për LDK-në, po jo vetëm për të, por për të gjitha partitë që lakmojnë pushtetin dhe bëjnë koalicion edhe me ata që deri dje i kritikuan për çdo të keqe që i ka ndodhur Kosovës, që nga krimet ekonomike e deri tek vrasjet me motive politike. S'mund të thuash që je i mirë, deri sa qeveris me të këqinjtë, që do të thotë se s'ke asnjë dallim me të.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat