Shkolla speciale “Luigj Gurakuqi” i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë

Tirana

Shkolla speciale “Luigj Gurakuqi” i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë

Më: 18 qershor 2016 Në ora: 12:46
Erion Veliaj

Nis rikonstruksioni i plotë i shkollës “Luigj Gurakuqi”, e vetmja shkollë speciale për fëmijët e kryeqytetit.

Nisja e punimeve u inspektua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi nevojën për të garantuar kushte dhe standarde mësimore për dhjetëra fëmijë me aftësi të veçanta.

“Një ndër punët gjatë verës për Bashkinë e Tiranës është rikonstruksioni i plotë i shkollës “Luigj Gurakuqi”, e vetmja shkollë speciale që kemi në qytetin e Tiranës për dhjetëra fëmijë me aftësi të veçanta. Kjo do të thotë se në qytetin e Tiranës, fëmijët i trajtojmë njësoj. Për Bashkinë e Tiranës të gjithë fëmijët janë engjëj. Ndaj, siç po ndërhyjmë në të gjitha shkollat e qytetit të Tiranës, kemi hapur edhe këtë kantier pune në shkollën e vetme speciale të të gjithë qarkut tonë”, deklaroi Veliaj.

Ai tha se faza e rikonstruksionit do të zgjasë gjatë 3 muajve të verës dhe do të jetë gati në shtator, me fillimin e vitit të ri shkollor.

Po ashtu, Veliaj deklaroi se pjesë e mbështetjes së bashkisë për njerezit me aftesi të veçanta është edhe programi i punësimit për personat me aftësi të kufizuar.

Shkolla “Luigj Gurakuqi” është e vetmja shkollë speciale ku mësojnë fëmijë me aftësi ndryshe në Tiranë.

Pas përfundimin të rikonstruksionit, edhe shkolla “Luigj Gurakuqi” do të jetë pjesë e projektit për t’i përdorur shkollat si qendra komunitare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat