Qeveria VMRO-BDI ka robëruar Maqedoninë duke përligjur ilegalen

Maqedonia

Qeveria VMRO-BDI ka robëruar Maqedoninë duke përligjur ilegalen

Më: 16 qershor 2016 Në ora: 22:54
Qeveria e Maqedonisë

Ka disa vite që Qeveria e Maqedonisë propozon ligje që janë në dëm të qytetarëve të saj ndërsa Parlamenti me shumicë i miraton dhe atë në mënyrë të përshpejtuar duke mos i analizuar mirë efektet. Kështu partitë aktuale në pushtet, në mënyrë perfide po e robërojnë shtetin e kufizojnë demokracinë dhe e përligjin ilegalen. Maqedonia është shndërruar në një vend hibrid, me regjim deklarativ demokratik por me vepra të diktaturës.  Është ky një nga konkluzionet në debatin e sotëm në Shkup të organizuar nga Instituti i shkencave shoqërore dhe humane me temë “Teknologjia e robërimit të shtetit: rasti i Maqedonisë 2011-2015”.

“Për shembull, ligji për media i cili u quajt ”Ligji për shërbime mediatike dhe shërbime audiovizuele ”sipërfaqësisht duket se është në përputhshmëri me kriteret evropiane dhe mban flamurin evropian, por që në esencë ky ligj u përpunua aq shumë si dëshiroi qeveria sa që formoi një Agjenci i cila është kompetente për “punën e mediave” duke paraparë gjoba të larta materiale. Siç ishte rasti me TV Telmën ,e dënuan se paska lëshuar 5 minuta program jashtë skemës programore. Me nenin për formimin e Agjencisë, ligji i mundëson qeverisë të përzihet në punën e brendshme  të redaksive e sidomos asaj të informimit.” tha profesoresha Katerina Kolozova.

“Shembuj si ky ka plotë” tha Artan Sadiku, profesor dhe aktivist duke theksuar se në vendet demokratike ligjet miratohen për te bërë reforma në shoqëri, për dallim nga Maqedonia e cila ligjet i miraton pa debate publike me qytetarët.

“Këtu ndryshimi i ligjeve behet në mënyrë drastike dhe në formë të përshpejtuar, pa u diskutuar mirë me qytetarët të cilët duhet ta kuptojnë e ta aprovojnë. Ne kemi ligje te pakuptimta që përfshijnë gjera shumë të imëta, siç është ligji për ndezjen e dritave gjatë vozitjes dhe parashikimi i gjobave të larta financiare nëse kjo nuk bëhet” tha Sadiku.

“Maqedonia ka karakteristikat e “shtetit të robëruar” nga pushteti” tha mes tjerash Simonida Kacarska nga Instituti  për politikë evropiane.

Sipas hulumtimit që e ka berë Instituti i shkencave shoqërore dhe humane,  70% e ligjeve të Maqedonisë janë miratuar me procedurë te përshpejtuar, 90% te ligjeve janë propozuar dhe miratuar nga partia maqedonase në pushtet VMRO- DPMNE, 10% madje janë të propozuara vetëm nga deputetët Ilija Dimoski i VMRO-së dhe Talat Xhaferi nga partia shqiptare në pushtet BDI.

“Nga kjo mund të përfundojmë që këto dy parti kanë tendencë për vendosje të pushtetit absolut, në mënyrë të ligjshme. Fluksi i madh i ligjeve për ndryshime drastike në shoqëri, mënyra e shpejtë e miratimit të tyre dhanë kontra-efekt për faktin se popullata nuk arrin ti kuptojë që të mund ti respektoje” tha në përmbyllje të diskutimit Sadiku. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat