Gjykimi i policit për mosndalimin e traktorëve me drunj

Lajme

Gjykimi i policit për mosndalimin e traktorëve me drunj

Më: 15 qershor 2016 Në ora: 23:38
Traktori


Polici Skender Sallahu akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi sipas prokurorisë nuk ndaloi dy traktorë me drunj.

Prokuroria e akuzon Sallahun se në tetor të vitit 2012 nuk ndaloi këta traktorë, edhe pse zyrtarë të Agjencionit Pyjor të Kosovës ia kërkuan ndalimin e tyre.

Sipas prokurorisë, njëri nga dy vozitësit e traktorëve ishte vëllai i të akuzuarit Naser Sallahu.

Prokuroria pretendon se polici Skender Sallahu kur ia kërkua ndalimi i traktorëve ishte me veturë zyrtare, ndërsa u tha zyrtarëve të Agjencionit Pyjor se këta dy traktorë ishin nën përcjelljen e tij.

Në seancën e sotme dëshmoi Nexhmedin Azemi, zyrtar i Agjencionit Pyjor të Kosovës që në disa raste foli ndryshe nga deklaratat e tij të mëhershme.

Ai përshkroi momentin e ndalimit të traktorëve me drunj nga zyrtarë të Agjencionit Pyjor.

“Dy kolegët e mi Vehbi Xhymshiti dhe Bajram Hyseni kanë qenë prezentë në vendin e ngjarjes, ku ata më pas i kanë ndalur traktorët duke ju kërkuar dokumentacionin, ku pastaj kolegët janë njoftuar që dy vozitësit nuk kanë leje për këta drunj” tha Azemi gjatë marrjes në pyetje nga prokurori Arben Kadriu.

Tutje Azemi shtoi se personalisht kishte takuar të akuzuarin me veturën e tij zyrtare dhe i kishte njoftuar që vëllai i tij po bartte dru ilegalisht.

“E kemi ndalë veturën e policisë, ku e kemi njoftuar Skender Sallahun që vëllau yt po bart dru ilegalisht me traktor, por i njëjti na ka thënë se mund të jetë vëllau im, por e di qe ata nuk marrin dru pa letra, sepse s’janë shitës të drunjve,” tha Azemi.

Prokurori Arben Kadriu e pyeti dëshmitarin nëse e kishte nënshkruar një dokument me të cilin në atë kohë kishte njoftuar kryetarin e atëhershëm të Vitisë dhe komandantin e policisë në këtë qytezë në lidhje me rastin e policit Sallahu.

Dëshmitari tha se nuk i kujtohet kjo gjë, se nuk e ka lexuar atë dokument dhe nuk e dinte se çfarë përmbante.

Pas përfundimit të dëshmisë së Nexhmedin Azemit, seanca u shty për datën 8 korrik, pasi një anëtar i trupit gjykues kishte të caktuar një gjykim tjetër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat