Certifikohet grupi i parë kosovar për markim dhe shënjim të shtigjeve malore

Peja

Certifikohet grupi i parë kosovar për markim dhe shënjim të shtigjeve malore

Më: 14 qershor 2016 Në ora: 00:26
ilustrim

Me trajnimin e dytë dyditor të mbajtur të shtunën dhe të dielën në Boge të Rugovës, ka përfunduar trajnimi për certifikimin e grupit të parë në Kosovë për markim dhe shënjim të shtigjeve malore për ecje dhe çiklizëm.

Moduli i parë i trajnimit dyditor është mbajtur me 28 dhe 29 maj në EKO-fshatin “Shtavna”, në Komovima të Malit të Zi. Në këtë kurs janë trajnuar nga instruktorët e Shoqatës Alpiniste të Malit të Zi gjithsej 20 shënjues, prej të cilëve 10 nga Kosova dhe 10 tjerë nga Mali i Zi.

Këto trajnime për licencimin e shënjuesve të shtigjeve malore ndërkufitare, janë mbajtur në kuadër të projektit “ViP of Dinaric Alps”, që financohet nga Bashkimi Evropian përmes programit për bashkëpunim ndërkufitar me Mal të Zi.

Projekti me kohëzgjatje prej 18 muajsh implementohet nga Fondi për Zhvillimin e Komunitetit (CDF). Gramen Taraku, menaxher i këtij projekti, tha për KD-në se objektivi kryesor i projektit është zhvillimi i aktiviteteve ndërkufitare me Malin e Zi, në promovimin e turizmit të qëndrueshëm, duke u bazuar në vlera natyrale, tradicionale dhe kulturore të rajonit. 

Derisa, siç shtoi ai, synimi specifik i projektit është zhvillimi i shtigjeve të gjata dhe pakove turistike që lidh komunitetet malore me aktorët tjerë relevantë në fushën e turizmit.

“Në kuadër të projektit janë të planifikuara edhe identifikimi, markimi dhe shënjimi i rreth 60 kilometrave shtigje për ecje dhe 117 kilometra shtigje për çiklizëm përgjatë pjesëve malore ndërkufitare në Pejë, Deçan dhe Junik”, tha Taraku.

Për t’i markuar e shënjuar të gjitha ato shtigje në pjesën e territorit të Kosovës, janë aftësuar 10 bjeshkatarë nga Peja, Deçani dhe Juniku.

Programi i trajnimit mbulon tema të legjislacionit dhe standardeve për mirëmbajtje të shtigjeve malore, shtigjeve malore për çiklizëm, përgatitjen e dokumentacionit dhe përdorimin e pajisjeve dhe mjeteve për shënjimin dhe rregullimin e shtigjeve, punën me pajisje GPS, regjistrimi i parametrave për të përcaktuar shtegun, topografinë dhe masat e mbrojtjes dhe të vetëmbrojtjes. I gjithë ky trajnim është shoqëruar edhe me punë praktike.

Njëri prej bjeshkatarëve të certifikuar me titullin “Markues – redaktor i shtigjeve malore Niveli II”, është edhe Nol Krasniqi, nga organizata e bjeshkatarëve “Marimanga” nga Peja.

“Në këto trajnime kemi mësuar për format, ligjet, rregullat dhe standardet e shënjimeve dhe markimeve të shtigjeve. Më rëndësi është se ky është grupi i parë i certifikuar në Kosovë për shënjim të shtigjeve, pasi deri tash nuk ka pasur shënjues të licencuar të shtigjeve”, u shpreh Krasniqi.

Pas trajnimit të kryer, nga muaji i ardhshëm, ata do të nisin të shënjojnë dhe markojnë shtigjet ekzistuese përgjatë kufirit më Malin e Zi në tri komunat dukagjinase, si dhe përmirësimin e gabimeve në disa shtigje që kanë qenë të markuara e shënjuara më herët. Në kuadër të këtij projekti janë paraparë aktivitete promovuese për zhvillimin e turizmit dhe rritjen e konkurrencës në Bjeshkët e Nemuna.

Projekti gjithashtu parasheh edhe programe për subvencionim të bizneseve private në turizëm, si dhe promovimin e zonës si një destinacion tërheqës për të gjithë adhuruesit e alpinizmit dhe çiklizmit malor. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat