Porositë e ambasadorit gjerman

Opinione

Porositë e ambasadorit gjerman

Nga: Frank Shkreli Më: 14 qershor 2016 Në ora: 20:03
Frank Shkreli

Vizita zyrtare e Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier të martën në Shqipëri, shënoi gjithashtu edhe ditën e fundit të shërbimit diplomatik të Ambasadorit gjerman në Tiranë, Zotit Hellmut Hoffmann. Dëshiroj të rrëfej që nga fillimi, se ndërsa e kam ndjekur nga larg veprimtarinë e tij diplomatike në kryeqytetin shqiptar gjatë tre viteve të fundit, kam zhvilluar një respekt dhe admirim për punën e tij si përfaqsues i një vendi mik që ia do të mirën Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në të vërtetë, këtë admirim e kam shfaqur në disa shkrime modeste për aktivitetin në përgjithësi të ambasadorit Hoffmann dhe të ambasadës që ai kryesonte deri dje në Tiranë. Por ajo, që mbi të gjitha, më ka bërë përshtypje ishte serioziteti me të cilin ai trajtoi nxitjen e një dialogu publik -- krejtësisht të munguar në Shqipëri -- rreth të kaluarës komuniste në atë vend.

Kryediplomati gjerman deri dje në Tiranë, gjatë shërbimit të tij diplomatik tre vjeçar vizitoi zona të ndryshme të Shqipërisë për tu njohur me historinë e vendit, përfshirë edhe ish-kampet e përqëndrimit si dhe burgjet e ish regjimit komunist, përfshirë Spaçin dhe Tepelën. Për më tepër, ambasada gjermane nën drejtimin e Z. Hoffmann ka mbajtur konferenca dhe ka zhvilluar takime me publikun shqiptar, kushtuar të kaluarës komuniste në Shqipëri. Konkretisht, ambasadori Hoffman, në bashkpunim me zyrën e OSBE-s në Tiranë, gjatë mandatit të tij, kishte sponsorizuar një projekt për të matur njohuritë dhe përceptimet e publikut shqiptar mbi historinë komuniste si edhe mbi trashëgiminë e regjimit të Enver Hoxhës. Në deklaratën e përbashkët me atë rast ata thanë se qëllimi i këtij projekti ishte, “Për të nxitur shqiptarët që të diskutojnë mënyrat për të trajtuar historinë e shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut nga regjimi komunist i Enver Hoxhës”. Gjatë mandatit të tij, Ambasadori Hoffmann e ka paraqitur këtë temë, në përpjekje për të zbardhur sadopak të kaluarën kriminale të regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke u bazuar kryesisht në përvojën gjermane në këtë fushë, përvojë që i dha atij kredibilitet ndërsa i mëshoi kësaj teme si përfaqsues i një vendi që është përballur drejtë për drejtë me të kaluarën e tij naziste dhe komuniste. Qëllimi i tij ishte që, duke u bazuar në ekperiencën e vendit të tij, por edhe në përvojën e vendeve të tjera ish-komuniste evropiano-lindore, të nxiste sado pak një dialog në radhët e klasës politike, të elitës intelektuale dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi mbi këtë kapitull të tmerrshëm të historisë së kombit shqiptar.

Megjithë përpjekjet e tija serioze në këtë fushë, ambasadori Hoffmann ishte i vetdijshëm se ai mund të bënte vetëm aq: të inkurajonte një dialog të tillë dhe të mbështeste projekte mbi këtë temë, ndërkohë që nuk hesitonte tu kujtonte shqiptarëve se përballja me të kaluarën e regjimit komunist në Shqipëri është një detyrë morale dhe e doemosdoshme që, nëse do të dalë me sukses, duhet të ndërmerret nga vetë shqiptarët. Ambasadori Hoffmann ka folur shpesh mbi të shkuarën e dhimbshme nepër të cilën ka kaluar Gjermania, ndërsa ka venë në dukje se nuk është i lehtë procesi i përballjes me të kaluarën komuniste, por është i rëndësishëm dhe se duhet të shikohet si një detyrim ndaj viktimave të asaj periudhe. “E di mjaft mirë që kjo është një temë tepër delikate për politikën shqiptare, por do të ishte një kënaqësi nëse asaj do t’i kushtohej më shumë vëmendje, qoftë në opinionin publik, qoftë në jetën politike të vendit”, është shprehur Hoffman.

Fatkeqsisht, klasa politika dhe shoqëria shqiptare në përgjithsi, gjatë 25-viteve të kaluar, kanë dështuar mizorisht në trajtimin e kësaj çështjeje – ndërsa ndryshe nga shumë vende ish-komuniste, Shqipëria nuk ka treguar as më të vogëlin interesim as vullnet të mirë për tu përballur me historinë dhe krimet e regjimit komunist të gjysëm shekullit të kaluar. Është e vërtetë, siç ka pohuar edhe Ambasadori Hoffmann, se kjo mund të jetë një histori tepër e vështirë për tu marrë me të, por as heshtja nuk i sjellë ndonjë dobi askujt, e aq më pak të mirës së përbashkët.

Përkundrazi, disa ekspertë besojnë se problemet me të cilat përballet sot Shqipëria, siç janë ndër të tjera (mos)reforma në sistemin e drejtësisë dhe korrupsioni, i kanë rrënjët pikërisht këtu, në krimet dhe në trashëgiminë e një sistemi që nuk njihte drejtësi. Përballja me të kaluarën komuniste, kanë thënë ata, nuk është thjeshtë vetëm një hapje dosjesh dhe lustracion, por duhet të jetë, siç ka thënë për DW edhe eskperti gjerman Roland Jahn, një ndërmarrje transparente dhe multi-dimensionale, duke theksuar se “trajtimi i së shkuarës nuk është thjesht punë shqyrtimi dosjesh, pasi në qendër janë njerëzit e vuajtur, janë viktimat e prekura — që atyre t’u garantohet drejtësi dhe një impakt pozitiv nga procesi”. Me fjalë të tjera, procesi i përballimit me të kaluarën komuniste kërkon dhe nevojitë DREJTËSI! (Mos)Reforma në drejtësi ishte subjekti kryesor i bisedimeve të Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier me zyrtarët shqiptarë në Tiranë, në ditën e fundit të Ambasadorit gjerman Hellmut Hoffmann, si përfaqsues i vendit të tij në kryeqytetin shqiptar.

Ndërkaq, Deputeti social-demokrat gjerman Michael Roth dhe ministër shteti për Evropën në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, në një intervistë për Deutsche Welle tha se për vendet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, të cilat aspirojnë antarësimin në BE, nuk do të ketë lëshime në këtë fushë. Ato duhet të jenë të qartë, shtoi ai se “Nëqoftë se duan të bashkohen me BE-në, duhet të luftojnë korrupsionin, duhet të forcojnë sundimin e ligjit, duhet të garantojnë pavarësinë e medias dhe natyrisht pluralizmin e medias. Këto nuk janë fjalë boshe, por gjëra thelbësore. Ne si BE jemi në radhë të parë një komunitet vlerash dhe jo një projekt tregu. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë”, ka theksuar zyrtari gjerman.

Kemi të bëjmë pra me çështje vlerash dhe jo me ndonjë projekt tregu! Këtë, politikanët shqiptarë ose nuk e kanë kuptuar deri tani ose nuk duan ta kuptojnë. Një ndër këto vlera, për të cilat foli deputeti gjerman, është edhe përballimi i shoqërisë dhe i politikës shqiptare me të kaluarën komuniste në atë vend, ashtu siç kanë bërë ish-vendet komuniste të Evropës Lindore, tani krejtësisht të integruara në organizmat euro-atlantike. Po Shqipëria?
Ishte kjo një ndër vlerat që Ambasadori Hoffman u përpoq, gjatë mandatit të tij, të bindëte shqiptarët se përballimi me të kaluarën është një vlerë e doemosdoshme politike dhe morale drejtë të cilës ia vlente të punohej dhe nga e cila do të përfitonte mbarë shoqëria shqiptare. Mbetet për tu parë nëse porositë dhe veprimtaria diplomatike e ambasadorit gjerman në këtë fushë do të ketë lenë gjurmët e veta.

Por sidoqoftë, Ambasadori Helmutt Hoffmann, në një intervistë lamtumirëse me Deutshe Welle shqip, ashtu si të gjithë miqët perëndimorë të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve, iu drejtua me një porosi të fundit klasës politike shqiptare, duke theksuar se, “Përsa u përket politikanëve: më e rëndësishmja për mua është që njerëzve t'u përcillet në mënyrë të besueshme -- përmes një angazhimi dhe pune konkrete -- që veprimtaria politike duhet të orientohet për nga e mira e përgjithshme dhe jo për nga interesat personale ekonomike apo interesat partiake në kuptimin e luftës për ruajtjen apo rifitimin e pushtetit pa marrë në konsideratë dëmin, që i shkaktohet kulturës demokratike. Nëse zgjidhet kjo qasje, atëherë njerëzve mund t'u përcillet shpresa e arsyetuar për përmirësimin e gjendjes së tyre në Shqipëri, çka unë e konsideroj si jashtëzakonisht të rëndësishme.”
I pyetur mbi sfidat dhe arritjet në fund të mandatit të tij në Tiranë, Ambasadori Hoffman gjatë intervistës lamtumirëse u shpreh gjithashtu se ai konsideron si një prej arritjeve të tija më me rëndësi gjatë mandatit tre vjeçar në Tiranë, përpjekjet e tija për sensibilizimin sado pak të politikës dhe të shoqërisë shqiptare mbi nevojën për tu përballur me të kaluarën komuniste. Ai u shpreh tekstualisht se, “Në fund dëshiroj të përmend përballjen me historinë e diktaturës komuniste në Shqipëri, për rëndësinë e së cilës kam pasur rastin të shprehem në shumë raste, gjë që në përshtypjen time ka ndikuar që kjo temë e rëndësishme të shkojë më përpara.”

Për veprimtarinë tuaj në këtë fushë iu falenderojmë i nderuar Z. Ambasador, por kam drojë se fjalët dhe këshillat e juaja fisnike dhe miqësore janë si daullja që bie në veshë të shurdhit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat