Komuna e Gjilanit nderon me tituj nderi Josef Biden III, Xherdan Shaqirin e Erzen Rrustemin

Gjilani

Komuna e Gjilanit nderon me tituj nderi Josef Biden III, Xherdan Shaqirin e Erzen Rrustemin

Më: 14 qershor 2016 Në ora: 18:23
Kuvendi Komunal i Gjilanit

Kuvendi Komunal i Gjilanit, të martën, në një seancë të jashtëzakonshme, ka miratuar vendimin për rialokimin e mjeteve për projekte kapitale, vendimin për shpalljen e Joseph R.Biden III “Qytetar Nderi” i Gjilanit, vendimin për shpalljen “Nderi i Qytetit” të boksierit Erzen Rrustemi dhe futbollistit Xherdan Shaqiri, pastaj ka miratuar iniciativën për nxitjen e bashkëpunimit ndërkomunal me Komunën e Lipjanit në fushën e infrastrukturës rrugore si dhe ka miratuar vendimin për autorizimin e kryetarit të Komunës për bashkëpunim ndërkomunal me komunat fqinje, në sferën e mbrojtjes nga fatëkeqësitë natyrore dhe fatkeqësi të tjera.

Opozita (PDK e VV) nuk kanë marrë pjesë në seancë, me arsyetim se pikat e parapara të rendit të ditës nuk janë të jashtëzakonshme dhe sipas tyre, nuk ka pasur nevojë për një seancë të tillë.Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se ne kemi pasur arsye për të ftuar këtë seancë, sepse jemi në shërbim të qytetarëve, ndërsa opozita nuk ka pasur arsye që të mos vijë. Opozita po bënë politikë, ka thënë ajo.

Kuvendarët e Gjilanit kanë votuar për shpalljen e Joseph R.Biden III (djali i nënpresidentit Xho Bajden) “Qytetar Nderi” sikurse edhe të Erzen Rrustemit e Xherdan Shaqirin - “Nderi i Qytetit”.

Biden III (tani i ndjerë) ka shërbyer në Kosovë, në kuadër të trupave amerikane dhe Kuvendi Komunal i Gjilanit e nderoi me këtë çmim në shenjë respekti dhe mirënjohje për kontributin e rëndësishëm që ka dhënë në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Ndërkaq, sukseset e Rrustemit në boks dhe të Shaqirit në futboll, janë të njohura për të gjithë.

Këshilltarët e AAK-së, pjesë e koalicionit qeverisës, patën vërejtje te procedura, duke thënë se Kuvendit është dashur t`i ofrohet një biografi e shkurtër për të tria propozimet. Ibish Ibishi (AAK) ka thënë se nuk jemi kundër emrave të mëdhenj, por jemi kundër procedurës. Vërejtje në këtë drejtim kanë bërë edhe Bajram Hasani, këshilltar i pavarur, Sejdulla Kadriu (Vatra) e Arben Mehmeti (LDK).

Valentina Bunjaku-Rexhepi, pasi ka lexuar nenin 2 të rregullores për ndarjen e titujve dhe çmimeve, ka thënë se boksieri Erzen Rrustemi dhe futbollisti Xherdan Shaqiri janë emra të mëdhenj, që Gjilanit i bëjnë nder dhe ka sqaruar se biografia e tyre e plotë do të lexohet ditën kur do të bëhet dorëzimi i çmimeve. Ajo ka sqaruar se seanca e jashtëzakonshme nuk është ftuar për shkak të këtyre propozimeve, por për arsye se është dashur të miratohet vendimi për alokimin e mjeteve.

Kuvendi miratoi edhe vendimin për alokimin e mjeteve. Zijadin Maliqi, drejtor për Financa ka thënë se bëhet fjalë vetëm për rialokim të shumës prej 50 mijë euro nga grantet qeveritare, për financim të aktiviteteve që kanë të bëjnë me masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike në nivel komunal, por buxheti nuk preket.

Bashkëpunimi ndërkomunal në fushën e infrastrukturës rrugore ka të bëjë me projekte të interesit të përbashkët siç është rruga Zhegoc-Verbicë e Zhegocit deri në fshatin Sllovi. Komunat do të aplikojnë bashkërisht tek Ministria e Infrastrukturës dhe donatorët tjerë të mundshëm, me qëllim të realizimit të projekteve me interes të përbashkët./T. Selimi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat