Mustafi tregoi klasin e tij! Shqipëria reagon ndaj “Shaqirit”

Futboll

Mustafi tregoi klasin e tij! Shqipëria reagon ndaj “Shaqirit”

Nga: Kemajl Goca Më: 14 qershor 2016 Në ora: 10:25

Shkodran Mustafi është shqiptari i parë në histori që shënoi në Kampionatin Evropian. Mbrojtësi shqiptar tregoi klasin e tij në fanellën e kombëtares së Gjermanisë, e cila triumfoi me rezultat 2:0 në ballafaqim me Ukrainën, në takimin e parë të grupit C. Mustafi luajti me një siguri të plotë në repartin e mbrojtjes dhe aq me tepër kur shënoi gol me kokë në minutën e 19-të. 24-vjeçari po e arsyeton besimin e dhënë nga përzgjedhësi Low. Ai u shpreh i lumtur për golin që realizoi me synime që të vazhdojnë me fitore dhe të fitojnë edhe kampionatin.  “Goli im i parë për Gjermaninë dhe kaq i rëndësishëm. Tri pikë për fillim”, ka shkruar Mustafi në Facebook.  Përzgjedhësi gjerman, Low mendon se ka qenë një ndeshje mjaft interesante dhe vlerëson tri pikët e para. Ai tani vëmendjen e ka të sfidat e ardhshme ku do të ballafaqohen (me 16 qershor) me Poloninë, të cilët nuk e llogarit si rival të lehtë.  “Ishte një ndeshje me intensitet të lartë dhe e shpejtë.

Në pjesën e parë kishim paksa probleme për të sulmuar, por në pjesën e dytë luajtëm shumë mirë. Dominuam, por nuk ishte e lehtë kundër mbrojtjes shumë të mirë të Ukrainës, por gjetëm zgjidhjen dhe në përgjithësi jam i kënaqur”, tha ai. Low thotë se sfida me Poloninë do të jetë edhe vendimtare qoftë për njërin ekip qoftë për tjetrin, sepse do t’i jep formë edhe grupit. “Ndeshja kundër Polonisë do të jetë vendimtare për të dyja ekipet pasi rezultati i asaj ndeshje do t’i jep formë grupit”, ka thënë Low. Gjermania triumfoi me rezultat 2:0 ndaj Ukrainës falë golave të Mustafit (19’) dhe Bastian Schweinsteiger-it (90+2’). Mustafi u paraqit titullar dhe luajti tërë takimin, duke shënuar edhe golin e parë të tije në fanellën e Gjermanisë. “Ishte ndeshja e parë. Ukraina tregoi forcë karakteri, ndërsa ne u treguam të saktë. Pjesërisht ishte vërtet lojë e hapur që i ngjante shumë lojës angleze. Topi kalonte sa në anën tonë, sa te ukrainasit. Me siguri do të flasim me trajnerin dhe do të dimë ta bëjmë mirë punën tonë në ndeshjen ndaj Polonisë”, ka thënë Mustafi. Nga ana tjetër, Federata Shqiptare e Futbollit me anë të një njoftimi përmes faqes zyrtare ka publikuar një lajm ku njofton se skuadra dhe vetë institucioni po dëmtohet nga profilet false në internet. Ky institucion ka reaguar ashpër në lidhje me shkrimet e fundit dhe të neveritshme në rrjetet sociale. Deklaratat e “pamenduara” nga lojtarë të caktuar nga profilet e tyre jo të vërteta dhe përhapja e tyre nga mediat ka qenë në fokusin e FSHF-së.

 “FSHF shpreh keqardhjen që në këtë moment fantastik të historisë së futbollit tonë që po e jetojmë të gjithë së bashku falë djemve të Kombëtares, trajnerit dhe ekipit drejtues të FSHF, një profil fallco në facebook dhe një status i rremë i Xherdan Shaqirit marrin jehonë përmes portalesh të caktuara duke dëmtuar imazhin e FSHF-së. Ne vlerësojmë çdo pikëpamje kritike mbi punën dhe nuk mund t’i heqim të drejtën askujt që të mendojë se Kombëtarja duhet të fitojë çdo ndeshje dhe uron që fallcitetet e profileve të rremë në facebook të mos përfshihen në debatin e shëndetshëm pasi dëmtojnë rëndë Kombëtaren në këtë moment historik. FSHF u është mirënjohëse të gjithë lojtarëve të Kombëtares për përkushtimin e tyre maksimal dhe pavarësisht fjalëve që i merr era, ka bërë e do të bëjë vetëm një politike: Dyer të hapura për këdo sipas meritës”, thuhet në reagimin e FSHF-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat