Ramadani: Ivanovi duhet të tërhiqet me vetëdëshirë

Maqedonia

Ramadani: Ivanovi duhet të tërhiqet me vetëdëshirë

Më: 13 qershor 2016 Në ora: 22:49
Ismet Ramadani

Impiçmenti ndaj presidentit Gjorge Ivanov vështirë se do të kaloj duke pas parasysh shumicën që kanë partitë në pushtet në Kuvend, por pavarësisht kësaj, përgjegjësi nga ai duhet të kërkohet pasi kjo do të ishte në dobi të imazhit të vendit. Kështu vlerëson analisti Ismet Ramadani, sipas të cilit, Maqedonia më së paku ka nevojë për një president si Ivanovi, i cili në vend të rolit unifikues, është shndërruar në përçarës duke falur dhjetëra zyrtarë të VMRO-së që po dyshohen për vepra të rënda penale.

“Person që kështu e ushtron funksionin nuk i duhet Maqedonisë dhe ai do të ishte mirë të tërhiqet dhe definitivisht të çlirohet nga një person i cili gjatë tërë kohës ka qenë dhe është në shërbim të VMRO-DPMNE-së, respektivisht të atyre që janë të inkriminuar dhe të korruptuar. Më e mira në krejt këtë situatë do të ishte sikur ai të kishte një minimum të përgjegjësisë morale që të jep dorëheqje dhe definitivisht të jep dorëheqje nga funksioni i presidentit”, tha analisti Ismet Ramadani.

Sipas Ramadanit, diskutimi për përgjegjësinë e Ivanovit në Kuvend është fillimi mbarë pasi deputetët do ta kenë mundësinë që t’i shpalosin të gjitha akuzat që kanë për punën e Ivanovit.

“Është një shans i mirë që edhe opozita ta thotë fjalën e vet që shpresoj dhe besoj se edhe deputetët e BDI-së duhet ta shfrytëzojnë këtë rast... Ky kryetar shteti e prishi shumë imazhin e shtetit dhe i trazoi të gjitha strukturat më të larta të BE-së por edhe të Stejt Departmentit. Ajo krizë e thellë në të cilën duhej të angazhoheshin që ta ndërmjetësojnë dhe ta zgjidhin, ky e problematizoi edhe më shumë dhe trazoj qytetarët që çdo ditë të protestojnë në shumë qytete”, deklaroi Ramadani.

Vendimi i Ivanovit për falje i cili nxiti kërkesën për impiçment, u prit me reagime të shumta në nga bashkësia ndërkombëtaret ndërsa nxiti edhe protesta të fuqishme nga revolucioni shumëngjyrësh. I ndodhur përballë presioneve në rritje Ivanov pjesërisht tërhoqi vendimin më 27 maj. Por, edhe ky akt u vlerësua selektiv dhe më 6 qershor, një ditë para vizitës së të dërguarit të posaçëm gjerman, Johannes Han, Ivanovi tërhoqi plotësisht vendimin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat