Gjykata e Tiranës reagon për deklaratat e ministrit Tahiri

Tirana

Gjykata e Tiranës reagon për deklaratat e ministrit Tahiri

Më: 8 qershor 2016 Në ora: 17:28
Ilustrim

Në përgjigje të deklaratave të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Gjykata e Tiranës i ka konsideruar fyese fjalët e ministrit për gjyqtarin që caktoi masën e pezullimit nga detyra por drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit Haki Çako.
Në një deklaratë për mediat, gjykata shton se, këto deklarata cenojnë pavarësinë e Gjykatës dhe se retorikat negative dëmtojnë rëndë imazhin e gjyqtarit.

Po ashtu, sipas njoftimit të shpërndarë për mediat, kjo gjykatë shton se qasje të tilla nuk i shërbejnë rritjes së besimit tek gjykata.

Ja njoftimi i plotë i Gjykatës së Tiranës

Ditën e Hëne me dt. 06.06.2016 gjyqtari i kësaj Gjykate Z. Arjan Aliaj si gjyqtar i gatshëm në ushtrim të detyrimeve të tij ligjore ka shqyrtuar kërkesën me karakter urgjent të organit të akuzës Prokuroria e Rrethit Tiranë me objekt caktimin e masës ndaluese pezullim nga detyra për shtetasin Haki Çako dhe masat shtrënguese “arrest në shtëpi” për shtetasit Artion Duka dhe Entiol Xhelilaj të dyshuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, të parashikuara nga nenet 248 dhe 301 të Kodit Penal te R.SH.

Ndaj këtyre vendimeve palët kanë të drejtë të bëjnë ankim brenda afatit pranë Gjykatës e Apelit Tiranë i cili është i vetmi organ që ka të drejtën e kontrollit gjyqësor vendimeve te gjykatës.

Në këtë kontekst, deklarata e Ministrit te Brendshëm Tahiri sot me dt. 08.06.2016 i cili fyen dhe denigron gjyqtarin Arjan Aliaj vetëm se ky gjyqtar në ushtrim te funksioneve dhe detyrimeve te tij ligjore dhe kushtetuese ka pranuar kërkesën e cituar më lart të organit të Prokurorisë përbën cenim të Pavarësisë dhe Integritetit të Gjykatës dhe gjyqtarit.

Gjyqtari Arjan Aliaj është rikthyer ne funksionin e gjyqtarit ne këtë gjykatë me Vendimin Nr. 256 dt. 02.12.2009 në zbatim të Vendimit Nr. 11 dt. 02.04.2003 te Gjykatës Kushtetuese te RSH.

Qasje te tilla denigruese dhe retorika negative ndaj gjyqtareve dhe gjyqësorit në përgjithësi dëmtojnë rëndë imazhin e gjyqësorit dhe nuk i shërbejnë rritjes së besimit të publikut tek gjykatat, forcimit të pavarësisë së gjykatave, forcimit të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës.

Një nga parimet themelore të funksionimit të shtetit të së drejtës është sanksionuar dhe ne Kushtetutën e R.Sh Neni 145 sipas të cilit:

“1. Gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve……..

3. Ndërhyrja në veprimtarinë e gjykatave ose të gjyqtarëve pas sjell përgjegjësi sipas ligjit.”

Çdo sulm i kësaj natyre është tejet shqetësues, përbën intimidim të trupës gjyqësore dhe ndërhyrje në procesin e rregullt ligjor si dhe shkelje te vetë detyrimeve ligjore e Kushtetuese të funksionarëve të larte shtetërore.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe gjyqtarët e saj janë të vendosur për zbatimin e ligjit dhe të angazhuar për shtetin ligjor në Shqipëri. Kjo gjykatë në mënyrë të vazhdueshme ka mbështetur iniciativën për një reforme pozitive në gjyqësor dhe vazhdon te kontribuojë për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Duke shprehur vendosmërinë dhe angazhimin tonë të plotë për sundimin e ligjit dhe një proces të rregullt ligjor, bëjmë thirrje për të shmangur çdo qëndrim paragjykues dhe denigrues ndaj këtij procesi, gjyqtarit konkret, dhe punës e misionit të Gjykatës në përgjithësi.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat