Gjakovë: Ortopedët pranojnë se këmba u operua gabimisht

Gjakova

Gjakovë: Ortopedët pranojnë se këmba u operua gabimisht

Më: 8 qershor 2016 Në ora: 11:51
Ilustrim

Katër mjekëve specialistë të Spitalit të Gjakovës, Selajdin Boshnjakut (ortoped), Dalip Muhadrit (anesteziolog), Fisnik Vulës (ortoped) dhe Shkëndije Shehut (anesteziologe) u janë revokuar licencat për gjashtë, përkatësisht tre muaj, nga ana e Bordit Etik Profesional të Ministrisë së Shëndetësisë.

Kjo, pasi të njëjtit janë shpallur përgjegjës se i kishin operuar këmbën e djathtë një pacienteje nga rrethi i Gjakovës, ndonëse ajo kishte të thyer këmbën e majtë, duke bërë kështu një gabim të natyrës banale.

Ndërkohë, Selajdin Boshnjaku, ortoped, që i është marrë licenca për gjashtë muaj, ka pranuar se bëhet fjalë për një gabim banal.

Por, ai insiston se edhe mjekësia ligjore ka vërtetuar se kjo nuk ka çuar në vdekjen e pacientes.

Këto gabime, sipas tij, parashihen edhe me literaturë mjekësore. Sa i përket vendimit për suspendim licence ai ka thënë ankesat e bëra nga stafi mjekësor nuk janë marrë parasysh.

I konsideron si masa të ashpra, duke pasur parasysh faktin se ishte bërë një ndërhyrje minimale, me një prerje jo më shumë se 1.5 centimetra dhe me anestezion lokal.

Ai gjithashtu thotë se nuk janë njoftuar zyrtarisht për vendimet e Bordit Etik e as ato të Komisionit Etik të Spitalit të Gjakovës.

“Ne jemi dënuar dy herë për një vepër. Një herë nga Komisioni Etik i Spitalit dhe një herë nga Bordi Etik i Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë Boshnjaku.

Në një deklaratë që ai e ka bërë për Komisionin Etik të Spitalit të Gjakovës ai ka treguar se pacientja është pranuar në repart të ortopedisë për shkak të rrëzimit dhe thyerjes së kërdhokullës së majtë.

Boshnjaku ka dhënë edhe arsyet pse u ngatërrua këmba e pacientes në operacion.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat