Qeveria e re, VMRO-DPMNE-ja me kushte për LSDM-në

Maqedonia

Qeveria e re, VMRO-DPMNE-ja me kushte për LSDM-në

Më: 7 qershor 2016 Në ora: 22:57
Nikolla Popovski

VMRO-DPMNE-ja është e gatshme që përsëri të pranojë LSDM-në si pjesë e Qeverisë për organizimin e zgjedhjeve por pasi kjo e fundit të konstatojë se janë plotësuar të gjitha kushtet për mbajtjen e tyre, përfshirë këtu edhe pastrimin e listës së zgjedhësve. Ishte ky reagimi i VMRO-DPMNE-së për kërkesat që parashtroi LSDM-ja për daljen e vendit nga kriza.

“Sapo LSDM-ja të konstatojë që janë përmbushur kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike, jemi të gatshëm të flasim për dëshirën për të qenë pjesë e qeverisë”, tha Nikolla Popovski, VMRO-DPMNE.

Nga VMDRO-DPMNE-ja nuk komentuan kërkesën që kishte të bënte me prokurorinë speciale por, sa u takon protestuesve të arrestuar, thanë duhet të përballen me ligjin për veprimet e tyre.

“Secili ka të drejtë të shprehë qëndrimin e tij ose pikëpamjet e tij në mënyrë të qetë dhe demokratike. Ne atë të drejtë do ta mbrojmë gjithmonë. Por të mos ketë asnjë dilemë që ligjet duhet të vlejnë njëjtë për të gjithë, duke përfshirë edhe ata që dëmtuan, u vunë flakën dhe vandalizuan me institucionet, duke sjellë një dëm të madh material. Gjithsecili që dëmton një pronë publike, duhet të përgjigjet për veprimet e pahijshme”, u shpreh Nikolla Popovski, VMRO-DPMNE.

Që nga fillimi i protestave të shoqërisë civile muaj më parë, disa protestues janë arrestuar dhe dhjetëra të tjerë janë marrë në pyetje dhe u janë caktuar gjoba.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat