Vlorë, një zyrë e Mobilizimit të Forcave Rezerviste për situatat e jashtëzakonshme

Vlora

Vlorë, një zyrë e Mobilizimit të Forcave Rezerviste për situatat e jashtëzakonshme

Më: 7 qershor 2016 Në ora: 18:10
Pamje nga aktiviteti

Forcat rezerviste, një forcë e shtuar e përbërë nga ish-ushtarakë me eksperiencë dhe të gatshëm për të përballuar dhe detyrat më të vështira, do të ndihmojnë Forcat e Armatosura të Shqipërisë për përballimin e situatave të jashtëzakonshme.

Si pasojë, për të kanalizuar këtë forcë të rëndësishme në funksion të përballimit të këtyre situatave, është hapur sot në Vlorë, Zyra e Mobilizimit të Forcave Rezerviste, e cila do të shërbejë për mobilizimin e rezervistëve në rast gjendjeje të jashtëzakonshme dhe në të ardhmen mund të përdoret edhe për procesin e rekrutimeve.

Në një njoftim për shtyp nga Ministria e Mbrojtjes bëhet e ditur se “zyra do të administrohet nga vetë ish-ushtarakët dhe do të shërbejë dhe si qendër komunikimi me komunitetin e ushtarakëve në rezervë. Qendra e mobilizimit do t’ju shërbejë rezervistëve dhe për të rigjetur veten dhe për të treguar se janë profesionalisht, fizikisht dhe mendërisht në gjendje t’i japin akoma shoqërisë”.

Ndërkohë në fjalën e saj, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli është shprehur se rezervistët duhet të jenë më aktivë sa herë që shoqëria ka nevojë për ta. Kodheli ka nënvizuar se “ku më mirë se sa në momentet e vështira që janë emergjencat civile, ju mund të jeni prezentë dhe të mobilizoni edhe të tjerët që ju përfaqësoni”.

Bëhet e ditur se ministrja e Mbrojtjes ka theksuar se për shkak të ekspozimit të Shqipërisë ndaj fenomeneve natyrore si vend mesdhetar por dhe për shkak të dëmeve që i kemi bërë natyrës ndër vite, situatat e jashtëzakonshme janë evidente dhe se ndihmesa e është e vyer.

“Ne do ta zgjerojmë mundësinë e asistencës së FA edhe nëpërmjet jush në të tilla situata, ashtu siç besoj që forcat rezerviste, forcat e të gjithë atyre që ju përfaqësoni si ish – ushtarakë, do të jenë në pararojë të vullnetarëve, një frymë kjo që duhet ta përçojë shoqërinë shqiptare shpesh herë e harruar sa herë që shoqëria, sa herë që shqiptarët ta kenë këtë nevojë”, tha Kodheli.

Më tej, ministrja e Mbrojtjes ka shtuar se gjithnjë ish-ushtarakët mbeten një forcë aktive, madje shumë e përgjegjshme e shoqërisë sepse i kanë shërbyer asaj nën uniformë dhe shpreson që do t’i shërbejnë dhe jashtë uniformës.

“Fakti që ne do ta riorganizojmë të gjithë strukturimin e FA kur flitet për shërbimin apo për suportin në lidhje me emergjencat dhe të gjithë aktivitetin civilo-ushtarak për të cilën FA edhe nga pikëpamja kushtetuese janë të detyruara ta japin këtë asistencë, na nxjerr ne në pah nevojën për të zgjeruar numrin e përfaqësimit tonë sa herë që shoqëria, sa herë që nevoja e kërkon. Unë di që forca rezerviste në qarkun e Vlorës janë me dhjetëra mijëra”, tha Kodheli.

Ajo ka nënvizuar se “do ta kemi këtë organizim megjithëse në bazë vullnetare, komplet mbi bazë të ristrukturimit pra të pikave të kontaktit, të emrave, të njerëzve, të cilët do të thirren, mënyrën se si do organizohemi, mënyrën se si do të jemi në komandë, pavarësisht se ju tashmë jeni civilë”.

Kodheli ka theksuar faktin se Zyra e Mobilizimit do të shërbejë dhe si një pikë komunikimi mes ish-ushtarakëve “si një mjedis ku ju të mund të rrini bashkë, të ndani problemet që keni, e sigurisht të mund të përcillni nevojat, kërkesat që ju keni ndaj ministrit të Mbrojtjes, shefit të Shtabit dhe pse jo dhe ndaj Qeverisë në përgjithësi”.

Ministrja Kodheli ka vlerësuar komunikimin e drejtpërdrejtë si dhe angazhimin e fortë për ngritjen e Zyrës së Mobilizimit në kohë rekord, ambiente të cilat do të jenë edhe në funksion të kthimit të saj në një qendër të jetueshme që u jep dinjitet forcave rezerviste dhe të gjithë personave që do të mblidhen për të përballuar ato nevoja sa herë që kjo të paraqitet si mundësi.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së Gjeneralmajor Jeronim Bazo, ushtarakë të lartë dhe ish-ushtarakë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat