Daut Xhemajli shpallet i pafajshëm

Gjilani

Daut Xhemajli shpallet i pafajshëm

Më: 7 qershor 2016 Në ora: 17:43
Daut Xhemajli

Është liruar Daut Xhemajli, ish-zëvendësministri i Drejtësisë dhe ish-shefi i Administratës dhe Personelit në Komunën e Vitisë.

Xhemalji që aktualisht është asamblist i Nismës në Viti, bashkë me dy ish-zyrtarë të kësaj komune Abdullah Eminin dhe Sabri Sherifin akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Xhemajli u lirua nga trupi gjykues i përbërë nga Afrim Shala, Islam Thaçi dhe Hasan Sadiku me arsyetimin se gjatë gjykimit nuk u vërtetua teza e prokurorisë se ai kreu veprën penale për të cilën akuzohej.

Për kallxo.com Xhemajli tha se procesi ka qenë i mundimshëm për të gjatë gjithë kohës sa zgjati.

“Kanë qenë 5 vjet të gjatë këto që nga ngritja e aktakuzës, por drejtësia tash ka rënë në vend,” tha Daut Xhemajli.

Xhemajli akuzohej se në kohën kur ishte shef i Administratës dhe Personelit në vitin 2009, pa përfillur Zyrën e Prokurimit kishte lidhur kontratë me vlerë prej 7,900 eurove për implementimin e punëve të projektit “Rregullimi i trotuarëve dhe drunjve dekorativë në Viti” me kompaninë NNP “Kristal”.

Nga akuza për keqpërdorim detyre u liruan edhe Abdullah Emini e Sabri Sherifi.

Abdullah Emini akuzohej se në cilësinë e shefit të Zyrës së Prokurimit më 11 shtator 2009 e ka vazhduar në mënyrë të kundërligjshme kontratën për furnizim me derivate me kompaninë “Izi Petrol”.

Ndërsa Sabri Sherifi, i cili kishte pozitën e menaxherit për mbikëqyrje të punimeve akuzohej se ka kryer pagesën e punimeve pa u përfunduar ato në projektin për rregullimin e trotuareve dhe kanalizimit në Pozheran.

Pjesë e këtij gjykimi në fillim ishin edhe Tahir Lubishtani, Ridvan Ademi dhe Musa Hasani, por trupi gjykues kishte refuzuar akuzën gjatë procedurës gjyqësore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat