Hyseni: Serbia e Bosnja po na pengojnë në luftën kundër terrorizmit

Politika

Hyseni: Serbia e Bosnja po na pengojnë në luftën kundër terrorizmit

Më: 7 qershor 2016 Në ora: 12:38
Skender Hyseni

Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe këmbimi i informatave ndërmjet institucioneve të sigurisë së vendeve të ndryshme, janë elemente thelbësore për luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, por në këtë pikë, Kosova përballet me probleme, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe njohës të rrethanave të sigurisë në vend.

Në raportin e fundit vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për terrorizmin, thuhet se “mosnjohja e Kosovës nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina pengojnë pjesëmarrjen (e Kosovës) në shumë nisma rajonale kundër terrorizmit”.

Ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Skënder Hyseni, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që mosnjohja e Kosovës nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, si dhe mungesa e marrëdhënieve diplomatike me këto dy vende të rajonit, është pengesë kryesore për shkëmbim informatash dhe angazhimin më substancial të vendit në luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, në kontekstin rajonal.

“Me Serbinë dhe Bosnjën ka deficit pothuajse total të këmbimit të çfarëdo informacioni. Ndërkohë që me vendet tjera të rajonit ne kemi bashkëpunim të mirë, përgjithësisht. Diku më mirë e diku jo edhe aq kënaqshëm. Me Shqipërinë kemi bashkëpunim të ngushtë, ndërkohë që me vendet tjera, ende ka shumë punë për tu bërë”.

“Ka bashkëpunim me Malin e Zi, por me Maqedoninë ndonjëherë është pak sa më i ndërlikuar bashkëpunimi. Sido që të jetë, Kosova është shumë e hapur për bashkëpunim në këtë fushë. Natyrisht, për bashkëpunim në kanale strikte zyrtare dhe serioze”, ka theksuar ministri Hyseni.

Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për terrorizmin, gjithashtu është thënë se “anëtarësimi i Kosovës në shumë organizata rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe OKB-në, është bllokuar nga shtetet që nuk e njohin pavarësinë e saj. Mungesa e anëtarësimit dhe mosnjohja e pengojnë bashkëpunimin rreth shumë çështjeve, përfshirë edhe kundër terrorizmit”.

Skender Perteshi, analist i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se pengesat më të mëdha ndaj Kosovës për tu bërë pjesë e iniciativave rajonale dhe ndërkombëtare në luftë kundër terrorizmit, vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, të cilat nuk e kane njohur pavarësinë e vendit.Pengesat e tilla, ai i vlerëson si politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat