Zyrtare: Ndalohen pijet energjike për personat nën moshën 18 vjeçare në Kosovë

Lajme

Zyrtare: Ndalohen pijet energjike për personat nën moshën 18 vjeçare në Kosovë

Më: 6 qershor 2016 Në ora: 14:27
Ilustrim

Në bazë të rekomandimeve, Komisioni për Shëndetësi propozoi vendosjen e shenjave njoftuese “+18”, në të gjitha pijet energjike; të zhvillohen fushata vetëdijesuese për efektet negative që shkaktojnë këto pije, si dhe të ndalohet shitja e tyre brenda dhe në afërsi të shkollave.

Iniciativa e të rinjve për ndalimin e konsumimit të pijeve energjike nga personat nën moshën 18 vjeç, ishte temë e diskutimit me Iniciativën e të rinjve “Rritu shnetshëm”, në mbledhjen e sotme të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, të kryesuar nga Flora Brovina, kryetare.

Diskutuesi i parë në këtë takim, përfaqësuesi i Iniciativës “Rritu shnetshëm”, Afrim Berisha, prezantoi hulumtimin e realizuar nga kjo iniciativë, i cili ka përfshirë gjashtë regjione,1000 pyetësorë me prindër dhe fëmijë, për të parë se sa konsumohen pijet energjike nga fëmijët dhe sa janë ata të vetëdijshëm për efektet negative që shkaktojnë ato.

Në pyetësorët me prindër, sipas Berishës, rreth 54 për qind e respodentëve kanë pohuar se fëmijët e tyre i konsumojnë këto pije, ndërsa nga pyetësorët me fëmijë, ka rezultuar se 74 për qind prej tyre konsumojnë pije energjike.

Nga ky hulumtim i dyanshëm, me prindër dhe fëmijë, doli që fëmijët ishin shumë të painformuar rreth efekteve negative që shkaktojnë këto pije. Afrim Berisha tha se vetëdijesimi është i domosdoshëm, pasi që qasja në këto pije është shumë e lehtë.

Në bazë të të gjeturave të hulumtimit, komisionit iu ofruan disa rekomandime, të cilat pritet të shqyrtohen në të ardhmen.

Sipas rekomandimeve, kërkohet vendosja e shenjave njoftuese “+18”, në të gjitha pijet energjike; të zhvillohen fushata vetëdijesuese për efektet negative që shkaktojnë këto pije, të ndalohet shitja e tyre brenda dhe në afërsi të shkollave, si dhe të krijohet një kornizë ligjore që rregullon kufizimin e kafeinës në këto pije.

Përfaqësuesit e iniciativës theksuan se rekomandimet e propozuara janë bazuar në praktika të vendeve të tjera, të cilat kanë marrë masa për kufizimin e këtyre pijeve si: Lituania, Hungaria, Suedia etj.

Në fund, kryetarja Brovina, falënderoi përfaqësuesit e organizatës për këtë material dhe për ngritjen e problematikave të kësaj natyre, duke shprehur, njëkohësisht, përkrahjen për rekomandimet e propozuara.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat