Kryepeshkop Anastasi, gardiani i varrezave të ushtrisë greke në Shqipëri

Opinione

Kryepeshkop Anastasi, gardiani i varrezave të ushtrisë greke në Shqipëri

Arben LLALLA Nga Arben LLALLA Më 5 qershor 2016 Në ora: 07:18

Në prag të vizitës së ministrit të jashtëm grek, Nikos Kotzias, në vendin tonë, siç është bërë tashmë praktikë rutinore diplomatike, titullarët respektivë të të dyja anëve, filluan të japin deklarata për shtyp, si për të përgatitur klimën apo kontekstin e kësaj vizite. Nga pala jonë, përsëritet zgjidhja e çështjes çame, e cila duket se nuk ekziston aspak për palën greke, që këmbëngul vetëm në marrëveshje të favorshme, siç është mbjellja e përhershme e qindra trupave të ushtarëve grekë, në disa varreza, që do të shënojnë vijën imagjinare të një kufiri të ri shqiptaro-grek. Përveçse po përfiton hapësirë tokësore me zhvendosje klonesh të varrosurish, pala greke, tenton gjithashtu të përfitojë edhe hapësirë detare, të çmuar për pasuritë me naftë dhe gaz.

Ndaj për këto qëllime të tij, shteti grek, arriti të sillte dhe të fronëzonte në Shqipëri, një nga njerëzit që kishte vite që e përgatiste me grada shkencore e kishtare, kryepeshkopin Anastasios, që për çerek shekulli, po zbaton me durim e përpikmëri një plan të sofistikuar për helenizimin e kishës ortodokse shqiptare, e për pasojë të të gjithë besimtarëve ortodoksë. Nuk e dimë sot, nëse këtë gjë e kishin parasysh politikanët e fillimit të tranzicionit, që firmosën ardhjen e tij dhe pushtimin e fronit historik të kishës shqiptare prej një të huaji.

Por ne nuk e dimë, nëse edhe sot, politikanët dhe organet që garantojnë integritetin dhe sigurinë tonë kombëtare, a e kanë parasysh se çfarë dëmi kolosal është duke na bërë ky njeri. Sigurisht, sinjali që u dha prej tyre, kur në bllok, e braktisën Anastas Janullatosin duke mos ia uruar pashkët, na jep idenë se e kanë kthyer shikimin drejt tij dhe po e monitorojnë me shumë kujdes. Për herë të parë, sivjet, seriali i lajmeve plot dritë të pashkëve, nuk u mbyll me fotot klasike të shtrëngimit të duarve të politikanëve me dhespotin grek, madje, nga trishtimi i madh, ai padrejtësoi edhe popullin e thjeshtë apo dashamirësit e botës civile, të cilët e uruan, por Janullatosi urdhëroi që për pritjen zyrtare në selinë e tij, këtë vit, të mos dilte asnjë lajm dhe të censurohej çdo foto, me qëllimin e fshehjes së këtij mesazhi indirekt të politikës, që e konsideroi non grada, apo të padëshiruar. Kështu, për herë të parë, ai prishi traditën mediatike të zyrës së shtypit, e cila këto kohë, edhe për shkak të shkrimeve tona, gjendet nën një presion të jashtëzakonshëm për të prodhuar argument. Por aty ku nuk ka ç’të thuash, është më e mençur të heshtësh.

Një nga detyrat e shumta që kishte Janullatosi në favor të interesave greke në Shqipëri, ishte të përdorte gjithë makinerinë e tij kishtare, priftërinjtë dhe mercenarët e paguar, për të lokalizuar, gjetur, zhvarrosur e rivarrosur nëpër varreza ushtarake, trupat e të rënëve në luftën italo-greke të 1940. Shteti grek, kishte favorin se nuk përfshihej direkt, duke ia lënë këtë detyrë KOASH, e cila do tërhiqte më pak vëmendje, ndërsa Janullatosi, duke treguar gatishmëri maksimale për t’i shërbyer shtetit të tij, do të përfitonte kalimin e miliona eurove investime, për të ndërtuar kisha e shkolla greke, e për të ngritur kultin e tij të individit, e për të fituar adhurimin e atyre ortodoksëve, që u dhemb kisha.

Dhe nga dashamirësia nuk i hapin sytë të shohin se ç’po i bën kombit shqiptar, prellati i tyre i dashur. Por nëse shteti grek, zgjodhi e gatoi një nga njerëzit më finokë për ta instaluar si kryepeshkop në Shqipëri, në shërbim të interesave greke, ky i fundit, Janullatosi pra, gjithë zinxhirin poshtë vetes, e përzgjodhi me qëllim ta mbushte me njerëz injorantë e të pagdhendur, me kulminacion peshkopët myslimanë, të cilët i garantonin kontrollin e sigurt mbi sinodin.

Ndërsa rasti i priftit të pashkollë të Kosinës, i shkaktoi Janullatosit ndoshta një nga skandalet më të mëdha e të paharruara, që frymëzuan më vonë, romane e filma tragjikomikë, do sillnin përjetësimin e kësaj historie të turpshme, ku civilë, gra e fëmijë shqiptarë, shkuleshin dhunshëm nga vendprehjet e tyre, për të mbushur gropat e varrezave të ushtarëve grekë, e gjerdanët e unazat e florinjta, me të cilat ne shqiptarët i zbukurojmë të vdekurit, ktheheshin në mollë sherri mes priftit e punëtorëve, që nga zbulues kokallash, u kthyen në gjuetarë thesaresh, duke u përdhosur të afërmit bashkëfshatarëve të tyre.

Makabritete të tilla, nuk ka mendje që t’i rrokë. Kështu, vetë Janullatosi e vuri për të disatën herë në pozicion të pafavorshëm shtetin grek, që u detyrua për shakë edhe të ndjeshmërisë së madhe të opinionit publik, të shtynte finalizimin e zbatimit të marrëveshjes ndërshtetërore që garanton ndërtimin e këtyre varrezave. Po mirë, do pyesë dikush, po nëse ka marrëveshje ndërshtetërore, pse e ngarkoni me faj Janullatosin për këtë çështje? Ja pse e bëjmë.

Në një marrëveshje ndërshtetërore, Janullatosi nuk ka asnjë punë të ndërhyjë për zbatimin e saj. Zhvarrimin e ushtarëve të rënë, duhet ta bënin strukturat shtetërore, me mbikqyrje ekspertësh nga të dyja palët, që ata që nxirreshin prej varreve, të ishin realisht ushtarë. Emisari grek u përzier aty ku nuk duhej, dhe pa dashje u tall me shtetin e tij, kur një prift i ulët, po u shiste grekëve sapunin për djathë. Imagjinoni grekët e shkretë, që në vend që të qajnë të afërmit e tyre, të jenë duke i ndezur qiri, ndonjë fshatari të Kosinës, apo ndonjë fëmije a nuseje të vdekur para kohe.

Personalisht jam pro zbatimit të konventave ndërkombëtare të luftës, të cilat sanksionojnë se të rënët varrosen përkohësisht afër fushëbetejave, por ata tërhiqen pas mbarimit të luftës. Këtë gjë bëri dhe Italia, por Greqia refuzon ta bëjë, se këto varreza, i duhen si dokumente të gjalla të historisë moderne të saj, ku pretendimet irredentiste për Vorioepirin, duket se janë riaktivizuar fuqishëm. Megjithatë, shteti ynë, ndoshta nga presionet për bllokimet integruese e bëri edhe këtë lëshim.

Dhe këtu, sërish hyn ai, kapiteni ushtarak Tasos Janullatosi i njohur në popull si kryepeshkop Anastasios tinëzisht, duke i bërë shtetit dhe kishës shqiptare një dëm të dytë kolosal. Pasi njollosi priftërinjtë dhe imazhin kishtar duke e kthyer KOASH-in në firmë funerale zhvarrimesh, dhespoti grek avancoi duke i grabitur popullit shqiptar, prona të paluajtshme, blerë me gjak e mund. Ç’punë kishte Janullatosi dhe kisha shqiptare të lëshonte prona e manastire të saj historikë, që të ktheheshin në varreza greke? A nuk përcaktonte marrëveshja caktimin dhe blerjen e truallit për një qëllim të tillë?

Por jo, shteti grek nuk kishte pse harxhohej kot. Sërish Janullatosi u hodh në veprim dhe u fali grekëve manastirin e Grykës së Këlcyrës, duke ua grabitur atë shqiptarëve. Ose i fali shtetit grek një copë tokë shqiptare, duke shkelur rëndë integritetin territorial. Sot tokat nuk pushtohen më me luftë, ato ose blihen ose falen. Këto gjëra dihen prej shtetarëve dhe ndërkombëtarëve. Në një kabllogram diplomatik, dëshmohet se peshkopi i Elbasanit i njoftonte zyrtarët e një ambasade për masakrën që po bënte Janullatosi i koordinuar nga Athina zyrtare.

Por peshkopit të konvertuar fatkeqësisht iu zbulua “tradhëtia” dhe për këtë gjë, u degdis nga Tirana me ngritje, pasi mbante detyra të cilat e pajisnin me informacione konfidenciale dhe delikate. Me dyshime për tradhti u pa gjithashtu edhe udhëheqësi i tij shpirtëror, po ashtu i konvertuar nga islami, në pritje të pasojë vetë Janullatosin, nëse nuk ka ndonjë surprizë tjetër apo plan sekret që ta shmangë nga kjo rrugë.

Sigurisht, që shteti grek, me durim e taktika të holla, po i fiton njëra pas tjetrës kauzat e veta. Ne, para pak kohësh denoncuam një nen të rrezikshëm të shtuar në statut (63/2), që e rrëzon praktikisht de facto, Autoqefalinë e KOASH. Nuk dihet nëse gjatë vizitës së tij, ministri i jashtëm grek do të rezervojë ndonjë takim zyrtar me Janullatosin, siç rëndom kanë bërë zyrtarët më të lartë grekë kur kanë vizituar Shqipërinë.

Ajo që zyrtarët tanë duhet të dinë, para se të fillojnë zbatimin e marrëveshjes sërivarrosjes së ushtrisë greke në thellësi të territorit shqiptar, është se këto varreza janë klone simbolikë të një kufiri të ri helenizmi. Dhe, gjenerali i ri i kësaj ushtrie pushtuesish të vdekur, do të varroset ne mes te Tiranës, sipas një plani të mirëmenduar.

Ai, kur ta thërrasë Perëndia, do t’i lërë edhe reliket e tij, brenda katedrales bardheblu të Tiranës, që simbolikisht do të jetë flamuri grek që do të mbulojë trupin e prehur të dhespotit që i shërbeu me besnikëri maksimale shtetit të tij. Dhe Greqia, do të ketë edhe një shenjtor të ri, që do të tërheqë mijëra pelegrinë, që do ta fillojnë udhëtimin e tyre nga varrezat e jugut, për të përfunduar në nderimin e varrit të Shën Anastasiso në mes të Tiranës.

Ikonat po mbarojnë, kripta është gati, shpallja e shenjtërimit është bërë premortum. Flaka e kauzës së helenizmës, tashmë e ka pishtarin e ngulur ne zemrën e kryeqytetit shqiptar. A jemi ende në kohë ta pengojmë që kjo të mos ndodhë?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat