Kosova pjesë e një mburoje raketore - ja efektet!

Lajme

Kosova pjesë e një mburoje raketore - ja efektet!

Më: 1 qershor 2016 Në ora: 10:45
Ilustrim

Analisti politik rus dhe anëtari i Akademisë së Shkencave të Rusisë, Petr Iskenderov në një deklaratë të tijën ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë plane të mëdha për Ballkanin.

Ai ka thënë se në këto plane përpos përfshirjes politike do të ketë edhe përfshirje ushtarake në vende të ndryshme të Ballkanit.

Analisti rus ka thënë se Kosova do të bëhet pjesë e një mburoje raketore.

“NATO, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, duan ta vënë Kosovën në qendër të planeve të saj politike dhe ushtarake, sidomos për shkak të vendndodhjes së saj të shkëlqyer në të cilën ndodhet territori”, citohet të ketë thënë Iskenderov.

E lidhur me këtë çështje, njohës të sigurisë në Kosovë kanë vlerësuar se vendosja e mburojës raketore nuk do të ndodhë para anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Burim Ramadani nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë, ka thënë se prezenca e përhershme amerikane në Kosovë duhet të jetë kërkesë e shtetit të Kosovës.

“Pra, Kosova të kërkojë zyrtarisht prezencën e përhershme amerikane, me trupa ushtarake dhe me rol të rëndësishëm diplomatik. Kjo, mbi të gjitha, forcon dhe garanton stabilitetin rajonal dhe, po ashtu, forcon dhe promovon rolin e Kosovës dhe të shqiptarëve në rajon”, ka thënë Ramadani.

Ai ka shtuar se sa i përket mburojës raketore, për këtë është çështje për të cilën opinioni nuk është i informuar, nuk mund të merret si e saktë.

“Unë mendoj se është në funksion të Sigurisë Nacionale të Kosovës sigurimi i prezencës së përhershme amerikane”, tha Ramadani.

Ndërkaq eksperti i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku ka theksuar se në Kosovë është prania e NATO-s me mision të KFOR-it duke e mbajtur përgjegjësinë kryesore për sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Kosova është e përcaktuar që të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së dhe konform kësaj në kompetencë të vet NATO-s është vendimi se ku do të instalohet mburoja raketore. Normalisht, para se të ndodhë një gjë e tillë duhet të kalojë nëpër instanca të vendimmarrjes politike në institucione të vendit për çka nuk ka asnjë lloj dyshimi pse të mos kalojë”, tha Maloku.

Ai ka shtuar se në momentin që instalohet mburoja raketore, Kosova do të përfitojë në aspekt të ngritjes së nivelit të sigurisë.

“Kur kjo të ndodhë atëherë Kosova do të përfitojë në aspekt të ngritjes së nivelit të sigurisë me efekte shumë pozitive dhe në ngritjen ekonomike për arsye se do të hapet perspektiva dhe mundësia e hyrjes së kapitalit nga jashtë në formë të investimeve të huaja”, u shpreh Maloku.

Ai theksoi se Kosova do të bëhet edhe faktor më i fuqishëm politik në rajon dhe më gjerë duke ndikuar kështu edhe në stabilitetin e rajonit dhe krijimit të ndjenjës së perspektivës për qytetarët e vet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat