Presidenti i asamblesë: Katërfishim të fondeve për NATO­-n në Europë

Lajme

Presidenti i asamblesë: Katërfishim të fondeve për NATO­-n në Europë

Më: 1 qershor 2016 Në ora: 09:42
Pamje nga asambleja

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO­-s, Michael Turner, dhe kryetari i delegacionit shqiptar, Pandeli Majko, në konferencën e zhvilluar në ditën e parë të çeljes së Asamblesë, të mbajtur për herë të parë në Tiranë, vlerësuan partneritetin që Shqipëria ka luajtur, duke e quajtur si një aleat të besueshëm dhe që garanton siguri dhe stabilitet në rajon. Turner, duke folur për procesin e zgjerimit të NATO­s edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor, tha se mirëpresin anëtarësimin e Malit të Zi, por ai tha se siguria në rajon do të rritet edhe me anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë.

“Zgjerimi i NATO-­s është pjesë përbërëse e Aleancës. Ne do të bëjmë të pamundurën për zgjerimin. Mirëpresim anëtarësimin e Malit të Zi, por edhe anëtarësimi i Kosovës dhe Serbisë do të rriste sigurinë në rajon. Ne kemi kërkuar katërfishimin e fondeve për praninë e NATO­s në Europë”, u shpreh Turner. Nga ana tjetër Pandeli Majko, në emër të qeverisë shqiptare, theksoi se Shqipëria nuk do të përdorë politikën e bllokimit për vendet e rajonit për të qenë pjesë e NATO­-s. “Republika e Shqipërisë, në frymën e principeve të një familjeje të madhe, siç është NATO, nuk ka vepruar dhe nuk do të veprojë në asnjë rast me logjikën e politikave bllokuese apo me kushte.

Ne e kemi shprehur dhe do ta shprehim shqetësimin tonë lidhur me të drejtat e shqiptarëve, në çdo vend ku ata jetojnë. Por, mendoj se është një lajm shumë i mirë për gjithë rajonin që Mali i Zi të bëhet pjesë e Aleancës së madhe të NATO­-s. Kjo do të rriste stabilitetin dhe sigurinë në rajon, si dhe do të ishte një nxitje edhe për vendet e tjera, si Maqedonia e Bosnjë­Hercegovina. Pse jo, në një të ardhme të afërt, ne shpresojmë se familja jonë është e hapur edhe për Kosovën dhe Serbinë. Nga ne nuk do të dëgjoni deklarata gjeneralësh. Mbështesim politikën e dyerve të hapura të NATO-­s”, deklaroi Majko.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat