Asambleja e NATO-s, Kodheli: Aleanca të hapë një faqe të ristrukturuar me Kosovën

Lajme

Asambleja e NATO-s, Kodheli: Aleanca të hapë një faqe të ristrukturuar me Kosovën

Më: 29 maj 2016 Në ora: 11:07
Mimi Kodheli

Shqipëria ka mirëpritur për herë të parë Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Për 3 ditë me radhë pjesëmarrës nga 28 vende te Aleancës do diskutojnë në Tiranë për sfidat kryesore me të cilat përballet NATO.

Gjithashtu, një tjetër aspekt i rëndësishëm i kësaj Asambleje është se zhvillohet 6 javë përpara Samitit të Varshavës, në të cilin do të vendoset vazhdimësia sa i takon reagimit të NATO-s ne raport me sfidat qe vijnë nga Rusia, konflikti ne Irak dhe Siri , kriza e emigranteve, lufta kundër terrorizmit etj.

Në ditën e dytë të punimeve të Asamblesë, ministrja e Mbrojtjes se Shqipërisë, Mimi Kodheli, mbajti një fjalim para të pranishmeve.

“NATO është një komunitet vlerash, ku bashkohet demokracia, liria individuale, të drejtat e njeriut dhe shteti ligjor. Në këtë kuptim, Asambleja Parlamentare e NATO-s, e përbërë nga ju, anëtarë të Parlamenteve nga të gjitha vendet anëtare, është një mishërim i qartë i vlerave demokratike të kësaj Aleance. Prandaj, kam kënaqësinë e madhe të adresoj këtë audiencë të nderuar, mbi disa nga çështjet me të prekshme për Aleancën tonë, siç janë: Kërcënimet dhe sfidat, që burojnë nga arkitektura aktuale e Sigurisë në Evropë, duke pasur parasysh rolin dhe reagimin e NATO-s”, është shprehur ajo.

Sipas Kodhelit, deri në fund të vitit 2013 “aleanca jonë ishte fokusuar në Operacione të Menaxhimit të Krizave dhe veprimtari të Sigurisë Bashkëpunuese, duke zgjeruar platformën e partneriteteve”.

Më pas ajo vijoi: “NATO ishte, në një diskutim të brendshëm dinamik mbi transformimin e saj, dhe misioni ISAF në Afganistan, ishte drejt përfundim të tij”.

Ndërkohë, në përputhje me Deklaratën e Samitit të Lisbonës, e cila njohu partneritetin strategjik të NATO-s me Rusinë, NATO rriti bashkëpunimin me Federatën Ruse, duke përfshirë këtu edhe fushën e mbrojtjes raketore.

“Shumë prej nesh menduan një NATO të zhdërvjellët, pa kërcënime në kufijtë tanë të afërt, dhe e aftë për të shijuar supremacinë ushtarake në çdo aspekt, ndaj atyre që konsideroheshin si armiq të kohës.

Për fat të keq, pothuajse dy vjet më parë, të gjithë ne, pamë aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga ana e Rusisë, si dhe aktivitetet e tyre të vazhdueshme shtrënguese përreth Ukrainës”, tha ministrja e Mbrojtjes.

“Për më tepër, Rusia filloi të rrisë retorikën kundër NATO-s dhe aleatëve të saj, madje edhe në një fushë shumë të rrezikshme dhe shqetësuese, atë “bërthamore”. Më lejoni të ri-kujtoj deklaratën e ambasadorit rus në Danimarkë në mars të 2015-ës, i cili pohoi se nëse Danimarka do bëhej pjesë e sistemit mbrojtës antiraketë, të udhëhequr nga SHBA-të, atëherë luftanijet Daneze mund të kthehen në shënjestra të raketave bërthamore ruse”, vijoi Kodheli.

Ministra e Mbrojtjes vijoi duke thënë se “për sa i përket NATO-s dhe BE-së, vendet e rajonit tonë kanë: rrugë, objektiva dhe axhenda të ndryshme. Ende, shumë prej tyre janë akoma të brishta në përpjekjet e tyre, për ndërtimin e demokracive liberale”.

“Ne të gjithë e dimë se rruga drejt anëtarësimit në BE është më e ndërlikuar për Ballkanin Perëndimor, dhe kjo vlen edhe për vendin tim. Paqartësitë politike dhe ato të sigurisë, por dhe problemet ekonomike janë duke e dobësuar ëndrrën e integrimit”, tha Kodheli.

Sipas saj, kjo është arsyeja pse Shqipëria mbështeti fuqishëm Malin e Zi drejt NATO-s dhe ne përshëndesim nënshkrimin e Protokollit të Pranimit nga Ministrat e Jashtëm të NATO-s, disa ditë më parë.

“Ne, në Shqipëri, besojmë fort në rolin unik dhe të pazëvendësueshëm të NATO-s, prandaj çdo vend i rajonit tonë duhet të inkurajohet të vlerësojë dhe shqyrtojë mundësitë e shumta, që vetëm marrëdhënia me NATO-n mund të ofrojë.Vendi im do të mbështesë praninë e shtuar të NATO-s në Evropën Juglindore, sepse për ne, kjo thjesht do të thotë se bashkësia e vlerave dhe parimeve të përbashkëta është duke u forcuar”, tha më tej ministrja e Mbrojtjes.

Kodheli u shpreh se “gjithëpërfshirja është një domosdoshmëri, prandaj ne na duhet një qasje konstruktive me të gjitha vendet e rajonit. Jemi të mendimit se ka ardhur koha që NATO të hapë një faqe të re dialogu dhe partneriteti të strukturuar me Kosovën”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat