Koci: Në rastin e “Bab Club-it” Prokuroria dhe Gjykata u ngutën

Lajme

Koci: Në rastin e “Bab Club-it” Prokuroria dhe Gjykata u ngutën

Më: 6 maj 2016 Në ora: 13:11

Njëra nga shumë pronat që janë cilësuar të uzurpuara dhe me urdhër të Prokurorisë së Shtetit janë liruar sot me ndërhyrje të Policisë së Kosovës është edhe lokali “Bab Club” më pronar biznesmenin Rrustem Rukoll.

Megjithatë, avokati i Rukollit, Arianit Koci, ka thënë për Klan Kosovën se bëhet fjalë vetëm për një pjesë të lokalit.

“Lidhur me këtë pjesë jemi në kontest gjyqësor qe disa vjet, për shkak se nuk janë saktësisht të përcaktuara kufijtë e lokaleve, dhe ka gjasa që pjesa e lokalit e personit që e përfaqësoj, ka më pak metra katrorë”, ka thënë Koci.

“Këtë është dashur ta konstatoj Gjykata me aktgjykim. Prandaj, mendoj se veprimet e Prokurorisë dhe të Gjykatës janë të nxituara”.

“Për këtë arsye, urdhrin e kemi zbatuar, por kundërshtimin do ta ushtroj menjëherë dhe do të vazhdojmë ta kërkojmë të drejtën tonë, me të gjitha mjetet juridike që i ka paraparë ligji”, ka shpjeguar Koci.

Përveç “Bab Club”-it, në aksionin e sotëm të ndërmarrë nga policia me urdhër të Prokurorisë së Shtetit dhe Administratës Tatimore të Kosovës për lirimin e pronave të uzurpuara, deri më tani, janë bastisur afër 10 lokacione të ndryshme.

Është bastisur edhe një kateteri tek Sheshi “Zahir Pajaziti”, pastaj një lokal ushqimor “Egzoni” tek Qafa, çajtorja “Graniti” tek muzeu dhe një lokal në Lakrishte.

Rreth kësaj çështjeje Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, ka paralajmëruar një konferencë për shtyp duke filluar nga ora 13:30.

Ndërkohë, aksioni për lirimin e pronave të uzurpuara po vazhdon ende.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat