Meta: Heqja e vizave për Kosovën, lajm i mirë

Lajme

Meta: Heqja e vizave për Kosovën, lajm i mirë

Më: 4 maj 2016 Në ora: 19:07

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka përshëndetur vendimin e Komisionit Evropian për t’i propozuar Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Meta e vlerësoi këtë vendim si një lajm mjaft të mirë për të nesërmen evropiane të Kosovës dhe rajonit. “Ky është një lajm jashtëzakonisht i mirë për gjithë qytetarët e Kosovës. Është lajm mjaft i mirë për të nesërmen evropiane të Kosovës në veçanti dhe gjithë rajonit në përgjithësi. Heqja e regjimit të vizave është mundësia e shkëlqyer për të lehtësuar kontaktet njerëzore, për të nxitur shkëmbimin e mallrave, kapitaleve, vlerave, kulturës dhe ideve ndërmjet BE-së edhe me këtë hapësirë të pandashme evropiane”, ka thënë Meta.

Ai ka përgëzuar punën e bërë nga autoritetet e Kosovës në përmbushjen e kushteve dhe standardeve të nevojshme që nevojiten për këtë qëllim. Meta ka thënë se ky është një hap i nevojshëm në procesin e integrimit të vendit në familjen evropiane. “Heqja e regjimit të vizave është një dëshmi për punën e kryer nga autoritetet kosovare që kanë përmbushur kushtet dhe standardet e nevojshme që nevojiten për këtë qëllim. Ky është një hap më shumë dhe i nevojshëm në procesin e gjatë të integrimit të vendit në familjen evropiane. Realizimi dhe përafrimi i standardeve evropiane në fushën e shtetit të së drejtës dhe reformave tërësore në të gjitha fushat, janë synimet që sjellin progres dhe nxisin progres”, ka deklaruar Meta, duke shtuar se heqja e regjimit të vizave është gjithashtu një stacion domethënës në procesin e pandalshëm të Kosovës për njohjen, integrimin dhe anëtarësimin e vendit në institucione dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat