​Qytetarët para ambasadave: Erdhi dita mos me prit para këtyre dyerve (Video)

Lajme

​Qytetarët para ambasadave: Erdhi dita mos me prit para këtyre dyerve (Video)

Më: 4 maj 2016 Në ora: 18:51

Qytetarët e Kosovës të cilët pritnin sot para ambasadave për një vizë Shengen iu gëzuan lajmit se Komisioni Evropian dha rekomandim pozitiv për liberalizim të vizave për Kosovën.

Me të mësuar këtë lajm, disa nga ta edhe kanë derdhur lot nga gëzimi pasi që siç thanë atë iu ka shkuar jeta duke pritur para dyerve të ambasadave për t’u pajisur me një vizë.

KosovaPress anketoi disa nga ata që pritnin para ambasadës Gjermane, të cilët kanë deklaruar se deri më sot qytetarët e Kosovës janë trajtuar në mënyrën më çnjerëzore, krahazuar me popujt e shteteve tjera.

Përveç që konsiderojnë se janë ofenduar duke pritur me orë të tëra para ambasadave,kanë shpenzuar mjaft dhe kanë marrë shumë herë përgjigje negative për viza.

Qytetari, Sokol Hoti, nga Ratkoci i Rahovecit tha se një lajmi të tillë i gëzohet çdo shqiptar, meqë sipas tij shpeshherë të afërmit e tij kanë paguar edhe nga 160 euro dhe iu kanë kthyer negative aplikacionet për viza.

Tash si të dihet data e lëvizjes pa viza Sokoli planifikon ta vizitojë djalin që e ka në Gjermani.

Hoti: Shpesh herë kanë paguar edhe nga 160 euro dhe iu ka kthyer negative

“Çdo kush që është shqiptar është i gëzuar, ishalla veç përpara... Unë skam aplikuar, por të afërmit e mi po, shpeshherë kanë paguar edhe nga 160 euro dhe iu ka kthyer negative. Kurse tash më mirë është... Sigurisht se do të udhëtoj në Gjermani, e kam djalin atje, do të shkoj sigurisht atje”, tha Hoti.

Zyber Rexha nga Rahoveci në moshë të shtyrë, i cili shoqëronte gruan e tij në ambasadën gjermane për të marrë vizën, me lot në sy shprehet se i është gëzuar lajmit për liberalizmin e vizave, i cili thotë se do t’i vizitojë fëmijët e tij në Zvicër dhe Gjermani.

Ndoënse ishte pajisur me vizë lajmit për rekomandim për liberalizim të vizave iu ka gëzuar edhe gruaja e Zyberit, Rukije Rexha.

Kishte nga të cilët janë shumë të dëshpëruar nga s ituata në Kosovë. Madje njëri tha se së shpejti do ta lë Kosovën për të jetuar në vendet e BE-së.

Skënder Avdyli nga Lipjani, i është gëzuar lajmit për liberalizim, por është edhe i indinjuar me drejtues të institucioneve të shtetit. Ai tha se do shkojë nga kosova ndërsa vendin po ia lë presidentit dhe kryeministrit, që siç tha ai “të rroken mes vete”.

Avdyli: Po e lëmë shtetin tash, po shkojmë krejt atje

“Shumë mirë, kurrë më mirë hiç s’ka. Po e lëmë shtetin tash, po shkojmë krejt atje. Po ia lëmë hajnave këtu le të ngihen pare. Po ia lëmë vendin krejt këtu, me kryetar e me kryeministër me ka krejt dhe le të rroken partitë mes veti”, tha Avdyli.

Edhe Sali Heta nga Drenasi, deklaron se është tmerr i madh kur sheh gjithë këta qytetarë duke pritur para ambasadës . Ai tha se njerëzit jo që humbin kohë, por kanë edhe lodhje nuk po k anë edhe durim me prit me orë të tëra për me ardhë deri tek dokumentacioni , përfhsirë edhe shpenzime të mëdha.

Heta: Jemi të kënaqur me këtë, edhe pse me vonesë

“Dëgjova përmes televizorit, më erdhi shumë mirë. Jemi të kënaqur me këtë, edhe pse me vonesë. Kjo rini, kjo popullatë është dashtë sikur popujt e tjerë të jenë të lirë të kenë mundësi me dalë edhe nëpër vende të tjera në fund të fundit për një vizitë nëpër vendet e Evropës.... është tmerr i madh kur e sheh gjithë këta qytetarë duke pritur, njerëzit jo që humbin kohë, por kanë edhe rraskapitje, kanë lodhje që nuk po kanë edhe durim me pritë me orë të tëra për me ardhur deri tek dokumentacioni plus harxhimet që janë bukur të mëdha”, tha Heta.

Kurse, Sadik Krasniqi, edhe pse mori vizën për Gjermani, tha se kjo është një ditë e madhe për popullatën e Kosovës. Sepse, sipas tij, deri në këtë moment, deri në ditën e sotme, qytetarët janë trajtuar në mënyrën më ofenduese dhe më nënçmuese.

Krasniqi: Deri në ditën e sotme ne si qytetarë jemi trajtuar në mënyrën më çnjerëzore

“Po e mora vizën, me këtë rast kam të shtoj se është një moment, është një ditë e madhe për popullatën e Kosovës që patëm rastin ta marrin rekomandimin për liberalizim vizash sot, sepse deri në këtë moment, deri në ditën e sotme ne si qytetarë jemi trajtuar në mënyrën më çnjerëzore, më ofenduese, më nënçmuese të mundshme. Me gjithë këto pritje dhe maltretime që kanë ndodhur me të vërtet shpesh herë edhe mendonim se jemi qytetarë të dorës tretë apo katërt jashtë Evropës”, tha Krasniqi.

I riu nga komuna e Istogut, Arsim Blakaj, edhe pse e mori vizën Shengen tha se është gëzuar kur ka marrë njoftimin për rekom andimin për liberalizmin e vizave.

Blakaj: Normal që u gëzohem sikur tërë kosovarët

“Po, e mora... pak më herët u njoftuam se është bërë liberalizmi i vizave, normal që gëzohem sikur tërë kosovarët. Për në Gjermani mora vizën, shpresoj prej të hënës”, tha Blakaj.

KosovaPress ka vizituar edhe ambasadat tjera të shteteve evropiane në Prishtinë, por numri më i madh i qytetarëve, të cilët ishin duke pritur për viza para ambasadave ishte ajo e Gjermanisë dhe Zvicrës. Në këto dy shtete edhe numri i bashkatdhetarëve nga Kosova është më i madh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat