VV e përshëndet rekomandimin për vizat, por...

Lajme

VV e përshëndet rekomandimin për vizat, por...

Më: 4 maj 2016 Në ora: 14:40

Lëvizja Vetëvendosje ka përshëndetur vendimin e Komisionit Evropian për të rekomanduar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke thënë se privimi i deritanishëm i kosovarëve nga Schengeni ka qenë i padrejtë. Po ashtu, VV thotë se kushti i vënë nga KE që Kosova ta miratojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi para se rekomandimi të shkojë në Parlamentin Evropian, është i padrejtë.

“Qytetarët nuk duhet ta paguajnë çmimin e krimit të organizuar e korrupsionit të politikanëve në pushtet me të cilët eksponentë të ndryshëm ndërkombëtarë (përfshirë ata të BE-së) kanë punuar ngushtë”, thuhet në komunikatën e VV-së.

VV thotë se, megjithëse e përshëndet këtë veprim, Kosova duhet të këmbëngul që trajtimi i shteteve ballkanike të bëhet në mënyrë të barabartë.

“Ne e përshëndesim rekomandimin për liberalizimin e vizave të qytetarëve të Kosovës. Mirëpo, ne duhet të këmbëngulim që trajtimi i vendeve të ndryshme të Ballkanit të bëhet i njëjtë për të gjithë, dhe jo të përdoren kute të ndryshme varësisht nga ndikimi e interesat”, thuhet tutje.

Sipas VV-së, kërkesa që Republikës së Kosovës ta ratifikojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi para se çështja e liberalizimit të shkojë tek Parlamenti Evropian, ë shtë e padrejtë, kur merret parasysh sa e dëmshme është marrëveshja aktuale me Malin e Zi.

“Një kërkesë të tillë nuk e ka pasur Mali i Zi kur i janë hequr vizat qytetarëve të atij vendi e as vendet tjera. Republika e Kosovës nuk e ka të demarkuar as kufirin me Serbinë. Por kjo nuk është vënë si kërkesë. Nëse kufijtë e demarkuar qartë janë kërkesë e zakonshme atëherë është dashur që të kërkohet demarkimi i të gjithë kufijve ndërkombëtar të Kosovës. Nëse jo atëherë as ky me Malin e Zi nuk duhet të jetë si kërkesë shtesë. Lëvizja VETËVENDOSJE! beson në parimet e vlerat si demokracia, liria e barazia, që themelet e tyre i kanë në kontinentin e vjetër”, thuhet në fund.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat