Urime Kosovë! Urime qytetarë të Kosovës!

Lajme

Urime Kosovë! Urime qytetarë të Kosovës!

Nga: Editoriali Më: 4 maj 2016 Në ora: 14:33

Komisioneri për migrim i Bashkimit Evropian, Dimitris Avramapolous para pak çastesh dha lajmin tashmë të pritur nga qytetarët e Kosovës për rekomandimin që të bëhet liberalizimi i vizave edhe për vendin tonë. Edhe pse ky lajm është pritur që shumë kohë, duhet thënë se jemi ne "Bota sot" dhe portali ynë që kemi paralajmëruar të parët se këtë javë do të bëhet rekomnadimi për liberalizimin e vizave. Qysh javën e kaluar, përkatësisht të enjten, më 29 prill, ne kemi dhënë lajmin se javën që vjen, pra këtë javë do të bëhet rekomandimi për liberalizimin e vizave, dhe të njëjtin lajm e kemi botuar edhe në gazetë, të premten, më 30 prill. Ne e kemi ditur edhe ditën se kur do të bëhet ky rekomandim, por megjithatë nuk kemi dashur që ta kumtojmë qysh atë ditë. Nuk e dhamë si lajm, edhe për të pritur se mos papritur po ndryshon dita, por edhe për ta ruajtur si informacion për këtë javë.

Ndërkohë "Financial Times" e dha edhe ditën se kur do të dihet dita për liberalizimin e vizave, dhe pastaj edhe portalet tona e dhanë si lajm ekskluziv, edhe pse eksluziviteti i lajmit ishte i "Financial Times". Sot kur Komisioneri për migrim i Bashkimit Evropian, Dimitris Avramapolous ka dhënë përveç lajmit për rekomandim për liberalizim të vizave, ka dhënë edhe kohën kur do të ndodhë liberalizimi, e që sipas tij do të jetë pas tre muajsh, tashmë mund të flasim për një lajm të gëzueshëm.

Të bindur se sot do të shpallet rekomandimi për liberalizim të vizave, dhe data se kur do të bëhet kjo, edhe në portal, edhe në numrin e sotëm të gazetës, e kemi paralajmëruar si ngjarjen kryesore jo vetëm të ditës, por edhe të një periudhe ngërçi dhe izolimi, pas pranimit të Kosovës në UEFA. Dhe për shkak të rëndësisë së madhe që kishte edhe pranimi i Kosovës në UEFA, e edhe rekomandimi për liberalizimin e vizave, ne si medium informativ i shkruar dhe online, i kemi kushtuar që një kohë edhe editoriale, por edhe shkrime tematike, anketime me qytetarë etj., duke dëshmuar se mbetemi të përkushtuar të qëndrojmë në krahë dhe në anën e interesave të Shtetit dhe të qytetarëve të tij, dhe të vlerësojmë çdo afirmim dhe çdo hap pozitiv të forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Krejt në fund, shprehim falenderimin dhe mirënjohjen tonë për KE-në për vendimin e rëndësishëm që ka marrë! Po ashtu,falenderojmë edhe Zyrën e BE-së në Prishtinë, në krye me z. Samjuel Zhbogar për ndihmesën e madhe që kanë dhënë që ky lajm i mirë për Kosovën dhe për qytetarët e saj të vijë në kohën më optimale të mundshme! Shtetit të Kosovës dhe qytetarëve u shprehim urimet e përzemërta për këtë lajm kaq të mirë dhe të rëndësishëm dhe të pritur që një kohë të gjatë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat