Presidenti i Federatës çeke: Ky biznesmen më ka bindur të votoj për Kosovën (Foto)

Lajme

Presidenti i Federatës çeke: Ky biznesmen më ka bindur të votoj për Kosovën (Foto)

Më: 4 maj 2016 Në ora: 10:44

Presidenti i Federatës Çeke të Futbollit, Mirosllav Pelta ka pranuar se ka votuar për pranimin e Kosovës.

Pas arritjes së suksesit historik me pranimin e Kosovës në UEFA, kryetari i Federatës Çeke të Futbollit, Mirosllav Pelta në një intervistë për Lajmin e Maqedonisë, pranon se ka votuar për pranimin e Kosovës.

Ai thotë se për të përkrahur Kosovën, e ka bindur një biznesmen shqiptar nga Kumanova.

“Mik i im i ngushtë është biznesmeni Bashkim Qazimi, me të cilin njihemi gjatë kohë. Ai me vite më flet për nevojën e pranimit të Kosovës jo vetëm në UEFA por në të gjitha asociacionet sportive. Falë argumenteve që mi ka numëruar Qazimi, unë sot nuk kisha asnjë dilemë se duhet t votoj për pranimin e Kosovës”, deklaroi Pelta për “Lajm”. Ai thotë se bashkë me biznesmenin Qazimi kanë lobuar edhe te federata të shteteve tjera, për t’i bindur që të votojnë për Kosovën.

Për biznesmenin Qazimi, dita e sotme është një ditë e madhe si për të gjithë shqiptarët.

“Me Mirosllav Pelta njihem me vite të tëra. Më vjen mirë që lobimi im ka rezultuar me sukses dhe që kam dhënë një kontribut sado të vogël për këtë arritje historike të Kosovës. Bashkë me mua gati në çdo takim me kryetarin e federatës çeke ka qenë edhe biznesmeni kosovar Uilson Bisaku-Vili”, thotë biznesmeni Qazimi, shkruan Lajmi i Maqedonisë.

Pelta sot në Budapest ka realizuar një takim edhe me kryeministrin, Isa Mustafa, i cili e ka falënderuar për përkrahjen që ka ardhur nga federata çeke. Nga ana tjetër, Pelta i ka përmendur Mustafës se përkrahja e tij për anëtarësimin e Kosovës në UEFA ka ardhur falë lobimit të biznesmenit Qazimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat