Gecaj: Ende kemi lajme të këqija për Serbinë

Lajme

Gecaj: Ende kemi lajme të këqija për Serbinë

Më: 4 maj 2016 Në ora: 10:12

Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj ka reaguar ndaj ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se pranimi i Kosovës në UEFA është vendim politik.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Gecaj ka thënë se për Serbinë do të vijnë lajme të këqija nga FIFA, Bashkimi Evropian dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.

“Kur është fjala për Kosovën, zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, duket ta ketë inatin dhe urrejtjen më të madhe se sa logjikën dhe pragmatizmin. Ai ka reaguar plotësisht i papërmbajtur ndaj vendimit të UEFA-s, e cila dje pranoj Kosovën si anëtare të barabartë në këtë organizatë të futbollit evropian. Daçiq thotë se ky është vendim politik, e jo vendim i bazuar në ligj, dhe i cili na qenka sponzoruar nga ato shtete të cilat edhe e kanë përkrahur pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Gecaj në Facebook.

“E kësaj deklarate ne vetëm mund t’ia shtojmë thënien popullore, ‘trimi i mirë me shokë shumë’. Kam një lajm edhe më të ‘keq’ për Daçiqin; ai do të vazhdojë të zhgënjehet me miqtë tanë dhe me punën e qeverisë së Kosovës në vazhdimësi. Do të vijnë ende lajme të ‘këqija’ për te edhe nga FIFA, edhe nga Bashkimi Evropian, edhe nga OKB-ja”, ka shkruar ai.

Në fund, Gecaj ka porositur Daçiqin se nëse nuk i beson atij, ministri serb duhet t’i besojë shteteve mike të Kosovës.

“Nëse nuk më beson mua, Daçiqi duhet t’i besoj miqve të fuqishëm të shtetit të pavarur të Kosovës. Ndërsa UEFA dje e dëshmoj mu këtë”, ka shkruar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat