AAK dhe Nisma japin arsyet pse duhet protestuar

Lajme

AAK dhe Nisma japin arsyet pse duhet protestuar

Më: 3 maj 2016 Në ora: 18:46

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën kanë mbajtur takim mobilizues me qytetarët për protestën e 14 majit, ku u bë thirrje që të dalin dhe të kundërshtojnë qeverinë antikushtetuese.

Kreu i Nismë-s, Fatmir Limaj tha se zgjedhjet do të shpallen së shpejti dhe koalicioni AAK-Nisma do të dalë fitues. Ai shtoi se më 14 maj, përveç protestës, koalicioni opozitar do t’u ofrojë qytetarëve edhe alternativën e ndryshimit.

Limaj: Po ndërtohet koalicioni që do t’i fitoj zgjedhjet

“Sot për dallim nga takimet e kaluara, jemi këtu bashkë, jo vetëm për të kundërshtuar këtë keqeverisje dhe qeveri antikushtetuese, sot jemi bashkuar ne aktivistë, struktura, drejtues të dy partive politike për të ftuar dhe të tjerët dhe për t’i dërguar mesazhin Kosovës se këtu po ndërtohet koalicion i cili do t’i fitoj zgjedhjet e ardhshme në Republikën e Kosovës. Më 14 maj, protesta jonë nuk do të jetë vetëm protestë në kundërshtim të kësaj qeverisje, ne më 14 maj përveç që dalim me kundërshtim të kësaj qeverisje, nga 14 maji Kosovës ia ofrojmë partinë e ndryshimit....kemi vetëm një objektiv, largimin e kësaj qeverie dhe ndryshimin që janë të domosdoshme për vendin tonë...zgjedhjet e parakohshme po ofrojnë, prandaj iu ftoj në mobilizim dhe bashkim drejt realizimit të fitores së madhe që po na kaplon”, tha Limaj.

Fjalimin e tij para qytetarëve, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e nisi duke i shpjeguar qytetarëve arsyeje se pse duhet t’i bashkohen protestës së 14 majit, duke shtuar se protestës t’i bashkohet çdo qytetarë i cilësdo partie, qoftë edhe atyre në pushtet, që nuk janë të pajtimit për zhvillet dhe situatën në Kosovë.

Haradinaj në këtë takim mobilizues me qytetarët e Kosovës, tha se çdo mospajtim që kanë qytetarët e Kosovës, do të mund të dalin më 14 maj në shesh, për të thënë “ne nuk pajtohemi”.

Haradinaj: Më 14 maj kam me protestu

“Një punë na ka mbet tpër ta bërë. Me shpreh këtë mospajtim. Si shprehet ky mos pajtim? Me dal me protestu, me thënë nuk pajtohemi. Unë kam do të protestoj më 14 maj për shqiptarin e veriut të Kosovës që nuk mund të kthehet në shtëpinë e vet, do të protestojë për minatorin që është i përbuzur i nëpërkëmbur, do të protestojë për qytetarin e Kaçanikut që nuk mund të shkoj në Leposaviq, do të protestojë për krejt ata që sot janë të papunë në Kosovë që nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka investime, do të protestojë për këtë gjendje të rëndë në vend, por veçanërisht do të protestojë se kanë filluar të bëjnë hapa mbrapa”, tha Haradinja.

Haradinja ka ritheksuar që “Zajednica”, dhe demarkacioni me Malin e Zi, nuk janë status kohë, por hap mbrapa, dhe këto janë arsyet se pse janë në këtë rrugë.

Haradinaj: Nuk jemi në këtë rrugë për hatër të njëri-tjetrit

“Zajednica, demarkacioni janë hapa mbrapa, nuk janë më status kohë, janë kthim mbrapa. Shihni sa me rëndësi është me ditë pse jemi në këtë rrugë, ne nuk jemi këtu për hatër të njëri-tjetrit, e as për hatër të ndonjërit që jashtë nesh por ne jemi këtu sot për shkak të vetëdijes sonë, se po nuk protestuam e qojmë porosinë që jemi ka pajtohemi në këtë Kosovë, status kohë dhe jemi duke u pajtuar me hapa mbrapa...Duhet të shkoj përpara Kosova, për këtë jemi pajtuar që të hyjmë në koalicion, sepse e ndjejmë përgjegjësinë, e ndjejmë së bashku, Nisma e ndjenë, ne e ndjejmë dhe shumë tjerë në Kosovë që me dërgu Kosovën drejt fitores dhe ky është boshti i fitores”, është shprehur Haradinaj.

Në këtë takim mobilizues, ishin edhe deputetë, struktura, e simpatizantë të dy këty re partive.





Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat