Nga Segregacioni politik e deri tek UEFA

Lajme

Nga Segregacioni politik e deri tek UEFA

Nga: Ridvan EMINI Më: 3 maj 2016 Në ora: 17:08

Përkundër të gjitha barrierave që i janë vënë Kosovës në shumë drejtime nga ana e Serbisë, sidomos pas pavarësisë së Kosovës, më në fund triumfoi drejtësia së bashku me politikën, në shërbim të sportit.

Politika gjithmonë qëndron në sfond të dukurive, madje edhe atëherë kur zhvillohet loja si sport. Pra, politika dhe sporti në mënyrë tradicionale nëse mund të themi e kanë një ndërvarshmëri në mes vete. Si dukuri kjo është prezente pothuajse në të gjitha anët e globit, andaj pa dyshim se është edhe prezente edhe në Ballkan. Ndërsa kjo ndërvarshmëri në mes tyre (politikës dhe sportit) nuk është një dukuri e re. Sporti ishte dalë në pah atëherë kur njerëzimi kishte filluar të matë fuqitë e veta, natyrisht kjo kishte filluar në kuadër të polisit (qytet-shtet) në Greqinë e Vjetër, mirëpo me kohë këto matje të fuqisë ishin zhvilluar në mes të poliseve. Kjo ishte e shëndetshme për poliset, pasi që e dinin fuqinë e tyre në përballje sportive andaj ishte edhe një mundësi shtesë për të iu shmangur luftimeve. Kështu edhe erdhi deri tek organizimet e para të Lojërave Olimpike në Greqinë Antike. Pra, fryma olimpike e mbështet këtë lloj ‘lufte’.

Në këto organizime në një formë apo në një tjetër krijoheshin mundësi që identitete të ndryshme të njihen mes tyre nëpërmjet ‘komunikimit luftarak’, mirëpo, çdo herë kundërshtarët kishin më shumë informacione për njëri-tjetrin si rezultat i këtyre organizimeve. Andaj ideja e këtyre lojërave ishte që së paku të ndalën për një kohë luftimet në mes të palëve, dhe pa dyshim se fuqia e një polisi matej me suksesin sportiv. Fituesi në këto lojëra në fakt ishte ai i cili i sillte privilegj dhe akomodim edhe më të mirë polisit, këtu pra zë fill edhe ndërvarshmëria mes politikës dhe sportit.

Ndërlidhja e politikës me sportin nëse i referohemi Ballkanit, shohim se nuk ka filluar me relacionin shqiptaro-serb. Nëse e shikojmë sportin, përkatësisht futbollin duke pas parasysh edhe ngjarjen historike të së martës që Kosova u pranua në UEFA, shihet se kjo ndërlidhje ndërmjet politikës dhe sportit dikur ka qenë edhe më e fuqishme se sa në ditët e sotme, por edhe të martën u tregua fuqia e politikës. Përkundër të gjitha barrierave që i janë vënë Kosovës në shumë drejtime nga ana e Serbisë, sidomos pas pavarësisë së Kosovës, më në fund triumfoi drejtësia së bashku me politikën, në shërbim të sportit.

Komercializmi sado të ketë ndikuar në dëmtimin e ekuilibrave në sport, megjithatë ka krijuar disa identitete lokale me një tendencë që t’i zhbëjë relacionet ndërmjet një klubi dhe një kombi. Në Evropën Juglindore në të kaluarën komuniste kur nuk ekzistonte koncepti i një sporti të komercializuar, përplasjet që po ndodhnin në sport, e të cilat ishin reflektim i animoziteteve politike, ishin jashtëzakonisht të ashpra. Opinionit mund t’i kujtohet viti 1990 dhe ndeshja e famshme futbollistike ndërmjet Dinamos së Zagrebit dhe Crvena Zvezdes së Beogradit. Në incidentet që ndodhën në këtë ndeshje, praktikisht mori fund jeta e përbashkët në Jugosllavi. Përleshjet ndërmjet serbëve dhe kroatëve që ndodhën jo vetëm në tribuna, por madje edhe në fushë ndërmjet lojtarëve, e vulosën pamundësinë e ekzistimit të mëtutjeshëm të federatës së dikurshme Jugosllave, dhe vërtet sot është një dilemë që lidhet me këtë ngjarje, nëse politika thjeshtë i parapriu incidenteve apo incidentet i paraprinë fundit të atij minimumi të tolerancës që kishte ekzistuar ndërmjet serbëve dhe kroatëve.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të merkurën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot” në Kosovë dhe diasporë)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat