Arilena dhe Ylli nga FSK-ja pranohen në West Point (Foto)

Lajme

Arilena dhe Ylli nga FSK-ja pranohen në West Point (Foto)

Më: 3 maj 2016 Në ora: 14:36

21 vjeçarja Arilena Shala nga Prizreni, dhe 19 vjeçari Yll Dalladaku nga Ferizaj sot zyrtarisht kanë pranuar certifikatën e pranimit në Akademinë Ushtarake West Point

Dy kadetët e Forcës së Sigurisë nga qershori i këtij viti do të jenë pjesë e Akademisë Ushtarake në West Point, të cilët kanë arritur që të jenë pjesë e 15 të përzgjedhurve nga 29 shtete aplikuese.

Kadetët fitues, janë shprehur krenar për të arriturën e tyre, por edukimin dhe diturinë, të cilën do ta marrin për katër vitet e ardhshme ata do t’i shërbejnë Forcave të Sigurisë së Kosovës. Krenar për ta janë shprehur edhe udhëheqësit e FSK-së.

Veç krenarisë për suksesin e tyre, ata kanë treguar se ndihen të gëzuar që në këtë mënyrë ata po e bëjnë krenar edhe vendin e tyre.

Arilena Shala, pas marrjes së certifikatës ka thënë për KosovaPress se lajmi për pranimin në akademinë më prestigjioze në botë, West Point për të ka qenë një ndjenë gëzimi e krenarie. Ajo e ndien veten të privilegjuar që i është dhënë mundësia që të zhvillojë jo vetëm karrierën e saj profesionale, por edhe të përfaqësojë shtetin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

Shala:Krenare që po e përfaqësoj Kosovën në Akademinë më prestigjioze në botë

“Ka qenë një moment shumë i papritur...Ka qenë një ndjenjë e papërshkruar, ndjenjë e madhe gëzimi edhe krenarie, jam ndier shumë e privilegjuar...është një ndjenjë shumë e mirë ndihem jashtëzakonisht krenare që më është dhënë mundësia jo vetëm që ta zhvillojë karrierën time ushtarake në një akademitë më prestigjioze në botë, por edhe ta përfaqësoj shtetin e Kosovës në një institucion, ku ka edhe ndërkombëtarë tjerë, ku ka me valuar edhe flamuri i Kosovës për katër vitet në vijim në Shtete e Bashkuara të Amerikës në Akademinë Ushtarake. Jam shumë krenare, që jo vetëm që të shkollohem, por edhe ta bëj krenare edhe shtetin tim”, tha Shala.

Me pranimin në Akademinë Ushtarake West Point, u konfirmua edhe qëllimi i 19 vjeçarit nga Ferizaj. Yll Dalladaku ka treguar se ndihet i lumtur që pas katër viteve do të shërbejë si oficer ushtarak në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Dallabaku: Gjitha dituritë që do t’i përvetësoj do të jem në gjendje t’i përdor në Forcën tonë

“Kur kuptova që u pranova , disi kuptova që për herë të fundit po më konfirmohet edhe qëllimi im në jetë...Gjithmonë kam pas vetëbesim që një ditë do të jem këtu, një ditë do të pranojë edhe këtë certifikatë... Ndihem shumë krenar dhe i lumtur, dhe ndihem shumë i nderuar që pas katër viteve do të shërbejë si oficer ushtarak në forcën tonë dhe gjithë diturinë që do të përvetësoj do të jem në gjendje t’i përdor në forcën tonë”, tha Dalladaku.

Këtë ngjarje e ka vlerësuar si një nga ngjarjet më tërëndësishme të FSK-së. Ministri i FSK-së Haki Demolli, tha se FSK-ja mburret dhe ndihet krenar për dy kadetët, të cilët me pranimin e tyre në West Point, jo vetëm që kanë nderuar veten, por kanë nderuar familjen, emrin e tyre dhe tërë Kosovën.

Demolli: Dy kadetët Arilena dhe Ylli kanë nderuar FSK-në dhe tërë Kosovën

“Nuk ka dyshim se lajmi mbi pranimin e dy kadetëve të FSK-së, në Akademinë Ushtarake të Ëest Point ishte njëri prej lajmeve më të mira dhe shumë të rëndësishme për FSK-në dhe Ministrinë e FSK-së, sepse bëhet fjalë për shkollimin dhe ngritjen profesionale të dy kuadrove tonë me një akademinë ushtarake me traditë 200 vjeçare...Pasur parasysh namin dhe famën e madhe që ka në botë Akademia Ushtarake West Point me plot të drejtë mund të themi se ne përfaqësues të FSK-së mburremi dhe jemi krenar që para nesh qëndrojnë me ndjejë legjitime të krenarisë dhe të gëzimit dy kadetë të cilët me aktin e regjistrimit në West Point jo vetëm që kanë nderuar ministrinë e FSK-së dhe FSK-në por kanë nderuar edhe familjen e tyre emrin e tyre dhe tërë Kosovën e ata janë Arilena Shala, dhe Yll Dalladaku”, tha Demolli.

Në këtë ceremoni ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, është shprehur se ndihet i nderuar te jetë pjesë e historisë së Kosovës. Ai ka përgëzuar Arilenën dhe Yllin për pranimin e tyre në West Point. Me gjithë këtë ai ka shtuar se pranimi në këtë akademi ushtarake është një nder i jashtëzakonshëm i cili rezervohet vetëm për studentët e mirë dhe premtues.

Delawie: Nderi i madh që jemi pjesë e historisë së Kosovës

“Kemi nderin e madh që jemi pjesë e historisë së Kosovës. Dëshiroj të përgëzoj Arilena Shalën dhe Yll Dalladak un për pranimin me sukses në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara për gjeneratën e vitit 2020. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme, të pranohesh për hyrje në Ëest Point është një nder i jashtëzakonshëm i rezervuar vetëm për studentët më të mirë dhe më premtues. Arilena dhe Ylli nuk bëjnë përjashtim nga kjo. Ata kanë garuar kundër 29 shteteve të tjera, 95 aplikuesve tjerë dhe vetëm 15 janë përzgjedhur...Shtetet e Bashkuara janë krenarë e që mbështesin Kosovën dhe çastet si kjo e sotmja na përkujtojnë për përparimet që po i bëjmë për çdo ditë”, tha ambasadori Delawie.

Edhe komandanti i FSK-së Rrahman Rama, ka përgëzuar kadetët e rinj, duke thënë se rruga e tyre vetëm sa ka filluar. Ai tha se edukimi i gjeneratave të reja në akademitë më prestigjioze të botës dhe shtete e NATOS i mundëson vendit që të jenë të vetëmjaftueshme në hap me gjitha shtete tjera.

Rama: Krenar të jesh në mesin e dy këtyre kadetëve

“Ndihemi shumë krenar që jemi këtu e veçanërisht në mesin e dy kadetëve që sot pranojnë certifikatat e pranimit në Akademinë Ushtarake më prestigjioze në botë Ëest...Këta dy të rinj kanë arritur që të jenë në mesin e dhjetë kadetëve më të mirë prej qindra konkurrentëve nga shtetet e ndryshme të botës...duhet të keni parasysh që rruga juaj vetëm sapo ka filluar dhe ju duhet të angazhoheni dhe të punoni maksimalisht në drejtim të zhvillimit tuaj profesional, personal dhe të korrni sukseset e juaja..edukimi i gjeneratave të reja në akademitë më prestigjioze të botës dhe shtetet e NATO-së na mundëson që ne të jemi të vetëmjaftueshme në hap me gjitha shtet tjera dhe këtë kemi udhëheqës të përgatitur që do të shtyjnë proceset përpara”, tha Rama.

Dorëzim i certifikatave për dy kadetët e rinj, u bë nga ministri i FSK-së, Haki Demolli, komandanti i FSK-së Rrahman Rama dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat