​GAP: Prokuroria të hetojë marrëveshjen për homologimin e veturave

Lajme

​GAP: Prokuroria të hetojë marrëveshjen për homologimin e veturave

Më: 3 maj 2016 Në ora: 13:03

Instituti GAP ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit, që ta hetojë kontratën e nënshkruar në vitin 2009, në mes të Ministrisë së Transportit dhe Kompanisë “Eurolab”, për monopolin e homologimit të veturave.

Instituti GAP ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit, që ta hetojë kontratën e nënshkruar në vitin 2009, në mes të Ministrisë së Transportit dhe Kompanisë “Eurolab”, për monopolin e homologimit të veturave.

GAP konsideron se kjo kontratë është nënshkruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Jeton Mehmeti, Drejtor i Hulumtimeve në Institutin GAP, i cili paraqiti analizën e këtij instituti tha se një kontratë e tillë, është në kundërshtim me parimet kushtetuese, Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës dhe me Ligjin për prokurimin publik. Një praktikë e tillë sipas tij, është në kundërshtim dhe me praktikat e rajonit dhe Bashkimit Evropian.

Mehmeti po ashtu theksoi se Kosova është i vetmi vend në rajon, i cili ka monopol në homologimin e veturave dhe i vetmi shtet, që ka çmimin më të lartë në rajon.

Mehmeti: Homologimi në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjin e konkurrencës

“Monopoli në homologimin e veturave në Kosovë, është në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe se dyti është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës. Prandaj një kontratë e tillë dhënë ‘Euro Labit’ në vitin 2009, del të jetë pa ndonjë qasje serioze dhe ka një shkelje që ka të bëjë me Ligjin për Prokurimin Publik, sepse nuk ka pasur thirrje për aplikim të firmave të cilat do të merrnin një veprimtari të tillë. Pra përmes kësaj kontrate ekskluzive, ‘Euro Labit’ përveç se i është dhënë eksluziviteti apo monopoli në homologimin e veturave, asaj i është dhënë edhe një favor tjetër, që ka të bëjë me kontrollin e parë teknik. Sepse çdo qytetar i Kosovës, i cili duhet ta bëjë homologimin, është i detyruar që ta bëjë dhe kontrollin teknik aty. Dhe kjo sipas analizës sonë, është në kundërshtim dhe m e ligjin për mbrojtjen e konkurrencës dhe me ligjin për mbrojtjen e konsumatorit. Sepse e detyron qytetaret që në të njëjtën kohë në të njëjtin vend të kryejnë dhe një obligim tjetër”, tha Mehmeti.

Në anën tjetër, Agron Demi, drejtor ekzekutiv i Institutit GAP tha se Kosova është vendi i vetëm në rajon i cili ka vendosur monopol në homologimin e veturave dhe se çmimi i homologimit në Kosovë prej 100 euro është dukshëm më i lartë, në krahasim me vendet tjera të rajonit, dhe madje është më i shtrenjtë se në shumë shtete të BE-së.

Andaj, duke krahasuar çmimin e homologimit në Kosovë me vendet e rajonit dhe ato të BE-së, Demi tha se kosovarët nga viti 2009 deri më 2015 kanë shpenzuar 2.4 milionë euro më shumë, se sa që do të shpenzonin në rast se nuk do të ekzistonte monopoli dhe çmimi do ishte i ngjashëm me vendet e rajonit.

Demi: Qytetarët kanë humbur 2.4 milion euro

“Problemi mbetet që nëse e krahasojmë çmimin në Kosovë dhe çmimin në vendet e BE-së dhe vendet e rajonit, del që prej vitit 2009, kur është nënshkruar kjo marrëveshje dhe kur është vendosur ky çmim, kosovaret kanë humbur 2.4 milion euro krahasim me qytetarët tjerë. Apo në rast se do të kishte konkurrencë çmimi do të jetë më i ulët apo do të ishte i përafërt me vendet e rajonit dhe kosovaret do të kursenin 2.4 milion euro prej këtij procesi”, tha Demi.

Ndryshe, përmes kësaj analize Instituti GAP ka rekomanduar që fillimisht rasti të dërgohet në Prokurori për hetim, meqë kjo kontratë është nënshkruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Në të njëjtën kohë Autoriteti Kosovar i Konkurrencës duhet ta interpretojë monopolin e homologimit, duke marrë për bazë interpretimin e më hershëm mbi arkat fiskale.

GAP rekomandon që "Eurolab"-it t'i hiqet mbikëqyrja e qendrave të tjera të kontrollimit teknik, sepse kjo paraqet konflikt interesi dhe përveç asaj, licencimi dhe inspektimi i tyre edhe ashtu bëhet nga Ministria e Infrastrukturës.

Për më tepër, duhet të ndryshohet sa më parë Udhëzimi Administrativ nr.2008/08 për homologimin e veturave, dhe me ndryshimet në këtë akt nënligjor të parashihet licencimi i më shumë se një subjekti homologes, si dhe të largohet neni 8.6 i tij i cili kushtëzon që kontrolli i parë teknike të kryhet nga kompania për homologim, pasi se kjo që bie ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe të drejtën e konsumatorit për të zgjedhur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat